Politike

Draft-rezoluta kundër agresionit rus, PS paraqet draftin ku mbështetet qëndrimi i Qeverisë

Partia Socialiste ka hartuar një draft-rezolutë që dënon agresionin rus në Ukrainë, përforcon qëndrimin e Tiranës në krah me aleatët Perëndimorë dhe mbështet veprimet e vendimet e ndërmarra nga Qeveria deri më tani.

Drafti thotë se rezoluta është e nevojshme duke marrë në konsideratë peshën e rritur të rolit të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB,së dhe rrezikun e ndikimit të luftës në Ukrainë në rajonin tonë, që kërcënon perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë draft, Shqipëria dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, duke shkelur hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut, si dhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh që Rusia ka firmosur me vullnet të lirë.

Me anë të kësaj rezolutë, shprehet mbështetja për vendimet dhe angazhimet e Qeverisë shqiptare, ashtu si dhe të çdo faktori tjetër të brendshëm dhe të jashtëm, për të ndihmuar popullin ukrainas me çdo mjet të nevojshëm për të mbijetuar dhe për t’i bërë ballë sulmit ushtarak rus.

Qeverisë i kërkohet që ky angazhim të vazhdojë angazhimin, në bashkërendim të ngushtë me të gjitha vendet aleate dhe me partnerët në rajonin e Ballkanit, si dhe të forcojë përpjekjet për integrimin europian të vendit dhe rajonit si mbështetje e pazëvendësueshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Europë.

Drafti është duke u konsultuar me Partinë Demokratike, e cila ka shprehur vullnetin për ta miratuar këtë rezolutë, por duke i shtuar disa pika. Mes pikave, PD pritet që të shtojë kërkesën që Qeveria shqiptare të dënojë qëndrimin e Serbisë si destabilizues në Ballkan, por mbetet për t’u parë se si do të formulohet kjo pikë dhe nëse do të marrë mbështetjen e socialistëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë