Politike

Drafti i PS për dekriminalizimin, si lë jashtë Kuvendit Ilir Metën dhe Sali Berishën

Partia Socialiste nuk do të mjaftohet vetëm me ndryshimet ligjore për hapjen e dosjes së pretenduar të Ilir Metës në Sigurimin e Shtetit. Por, për t’u siguruar që ish-Presidenti të mos përfshihet në politikë, propozon edhe ndryshime në ligjin e dekriminalizimit.

Sipas ndryshimeve të propozuara nga socialistët, në nenin e parë të ligjit, ku përcaktohen personat që u ndalohet kandidimi, apo zgjedhje në çfarëdo posti, që nga këshilltar bashkiak, deputet e deri në President Republike, u ndalohet atyre që janë favorizuar, apo kanë bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit.

E theksuar shtesa në ligj e propozuar nga PS

Në këtë rast, për Ilir Metën Autoriteti i Dosjeve ka dorëzuar një dosje nën Kuvend, nën dyshimet se ky i fundit ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit. Autoriteti i Dosjeve i kërkon Kuvendit në të njëjtën dosje që të ndërhyjë në ligjin për të drejtën e informimit për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit për të shfuqizuar pikën 4 të nenit 29 të tij. Sipas Autoritetit, ky nen e pengon që të verifikojë nëse personi me inicialet I.M., është Ilir Meta.

Sipas këtij propozimi të socialistëve, të gjithë kandidatët duhet të plotësojnë një formular të dytë, ku të pasqyrojnë nëse kanë pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit, apo jo. Deklarimet e rreme në këtë formular kanë të njëjtat pasoja, pra penale, si deklarimi i rremë në formularin ku kandidatët pasqyrojnë të dhënat nëse janë dënuar apo jo në të shkuarën.

Për formularin e parë, pra formularin ekzistues është Prokuroria e Përgjithshme organi verifikues. Për formularin e dytë, që lidhet me Sigurimin e Shtetit, organi verifikues caktohet sipas ndryshimeve të propozuara nga Partia Socialiste, Autoriteti i Dosjeve.

Një tjetër ndryshim i propozuar nga socialistët në ligjin e dekriminalizimit është ai që ndryshon nenin 2 të tij. Në pamje të parë ndryshimi duke sipërfaqësor dhe pa shumë efekte, por ndryshimet lënë hapësirë të gjerë interpretimi, që mund të përjashtojnë nga e drejta për t’u zgjedhur edhe Sali Berishën.

Socialistët propozojnë që ky nen të ndryshohet duke u bërë: “që janë dënuar me një vendim jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, apo për të cilët është vendosur masë sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga autoritetet e një prej këtyre shteteve…”.

Një formë mase sigurimi personal është edhe shpallja ‘non grata’, siç është shpallur Sali Berisha nga SHBA dhe Britania e Madhe. Kjo do të thotë se me këto ndryshime të ligjit të dekriminalizimit, socialistët synojnë që me ‘një gur të godasin dy zogj’, pra Sali Berishën dhe Ilir Metën, duke i përjashtuar ata nga Kuvendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë