Futboll

Drita kampione e Kosovës, fiton titullin e tretë në histori

Drita është shpallur kampione e Kosovës. Barazimi 2-2 në sfidën me dy pretendentëve të tjerë, Gjilanit dhe Ballkanit, ka bërë që kjo skuadër të bëhet zyrtarisht kampione. Me 68 pikë në 32 javë kampionat, Drita ka bërë më mirë se skuadrat e tjera, duke regjistruar 21 fitore, 5 barazime dhe 6 humbje. Tashmë ka fituar të drejtën në luajë në Ligën e Kampionëve.

Skuadra e drejtuar nga trajneri shqiptaro-maqedonas Ardijan Nuhiji, fiton titullin e tretë në kampionatin kosovar dhe të dytin brenda tri viteve të fundit. Drita futet kështu në klubin e skuadrave me më shumë tituj në futbollin kosovar, ku nga tre tituj kampion kanë edhe Feronikeli dhe Besa e Pejës. Klubi me më shumë trofe është Prishtina, me 10 tituj.

Në radhët e Dritës luajnë disa lojtarë të njohur edhe në kampionatin shqiptar, siç janë Ardian Cuculi, ish-lojtar i Kukësit dhe Partizanit, Astrit Fasliu, edhe ky i aktivizuar me të kuqtë në Superiore. Sulmuesi Izair Emini dhe portieri Faton Maloku kanë qenë më parë pjesë e Kukësit, ndërkohë që emra të tjera të njohur për tifozët shqiptarë janë Liridon Leci, ish-lojtar i Besës, Kastriot Rexha, ish-lojtar i Vllaznisë dhe Bunjamin Shabani që ka luajtur me Partizanin. Shqiptari i vetëm në radhët e Dritës është mesfushori shkodran, Erjon Vucaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë