Politika britanike ka arritur nivele marramendëse: në kuptimin që kokaina rrjedh “lumë” në Westminster (Parlamenti anglez)) dhe ata po konsiderojnë futjen e qenve kundër drogës në dhomat e Parlamentit.
Për të shuar dyshimet mbi atë që konsiderohet një çështje sekrete, është gazeta “Sunday Times”, e cila tregon sesi në një kontroll të fundit, u gjetën gjurmë droge në 11 nga 12 vendet e testuara, disa prej të cilave janë të aksesueshme vetëm me leje parlamentare.
Droga është “dypartiake”: kokaina është zbuluar në banjat pranë zyrave të Boris Johnson dhe ministrit të Brendshëm, por edhe në ato pranë dhomave të qeverisë-“hije” Laburiste.
Thuhet se një deputet thithte drogën para të gjithëve në një festë, në prani edhe të gazetarëve dhe në një rast tjetër, një anëtar i stafit, hyri në zyrën e një parlamentari natën vonë dhe e kapi atë duke bërë një “pistë” në tavolinën e tij me një kartë.
“Ka një kulturë kokaine në Parlament”, tha një veteran i Westminster për gazetën “Sunday Times”. Disa e bëjnë vazhdimisht, të tjerët herë pas here. Disa janë emra të njohur, të tjerë janë deputetë apo zyrtarë të rinj ambicioz. Mendojnë se janë të paprekshëm”.
Në të vërtetë, një ish-deputet kishte punësuar një shpërndarës droge si anëtar të stafit të tij në të kaluarën për ta paguar rregullisht.
“Ai që është një sekret i hapur në Westminster, është kultura e drogës, – tha një këshilltar special. – Të gjithë e dinë se në cilën zyrë duhet të shkojnë për të gjetur një mall”.
Nuk është e pazakontë të hasësh zyrtarë që enden me një vështrim të çuditshëm nëpër korridore: “Thjesht kthehu ose shiko tavanin”, pranon këshilltari.
Duhet të merret parasysh, se janë 19,000 njerëz që posedojnë një leje parlamentare dhe që mund të hyjnë në Westminster pa kontrolle, edhe nëse vetëm 3,000 kanë hyrë rregullisht që nga fillimi i pandemisë.
Gjatë një viti, dy shpërndarës droge u arrestuan rreth Parlamentit, ndërsa 13 persona u arrestuan për posedim droge: gjithsej, 17 krime të lidhura me drogën u hetuan brenda ose rreth ndërtesave parlamentare.
Kryetari i Dhomës, Sir Lindsay Hoyle, ka premtuar një hetim dhe javën e ardhshme një komision do të merret me rastin. “Nuk ka vend në shoqërinë tonë për drogën dhe sigurisht as në Parlamentin tonë”, tha ministrja e Brendshme, Priti Patel.
Ata që kanë privilegjin të punojnë në zemër të demokracisë sonë dhe që janë të përfshirë në përdorimin apo shpërndarjen e drogës, janë krejtësisht të shkëputur nga dhimbja dhe vuajtja që ushqejnë përmes trafikut të drogës”.
Johnson po përgatitet të fillojë një shtrëngim kundër përdoruesve të pasur të drogës, për të ndryshuar perceptimin se njerëzit e privilegjuar mund të shkelin ligjin pa pasoja dhe ai mund të vendosë të “bëjë një shembull”, duke filluar nga një person i profilit të lartë.
Dënimi maksimal për posedim kokaine në Angli, është shtatë vjet burg. Sindikata që përfaqëson stafin parlamentar, megjithatë, u përpoq të vendoste pyetjen në kontekst: “Një kulturë pune e përbërë nga orë shumë të gjata dhe afate të ngushta, mund të krijojë presion që perceptohet si i pamenaxhueshëm: është e nevojshme të sigurohet mbështetje për ata që kanë përfunduar duke marrë drogë, si dhe përmirësimin e kushteve të punës”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje