Gazeta Si – Tre ushtarakë rusë u vranë të hënën kur mbetjet e një droni ukrainas u rrëzuan teksa po sulmonte një bazë në rajonin e Saratovit.
Lajmi është bërë i ditur nga agjencitë ruse të lajmeve, duke cituar ministrinë e Mbrojtjes.
Ky është sulmi i dytë në bazë këtë muaj. “Më 26 dhjetor, rreth orës 1:35 me orën e Moskës, një avion ukrainas pa pilot u rrëzua në lartësi të ulët, ndërsa po afrohej në aeroportin ushtarak ‘Engels’ në rajonin e Saratovit”, tha Ministria e Mbrojtjes ruse.
“Si pasojë e rënies së rrënojave të dronit, tre ushtarakë rusë nga stafi teknik që ndodheshin në aeroport u vranë”. Ministria shtoi se pajisjet e aviacionit nuk u dëmtuan.
Baza ajrore, që është një nga dy bazat strategjike ku strehohet kapaciteti bërthamor i Rusisë, ndodhet pranë qytetit të Saratovit, rreth 730 kilometra në juglindje të Moskës dhe qindra kilometra larg vijës së frontit në Ukrainë.
Nga Ukraina nuk pati reagim të menjëhershëm, mirëpo Kievi zyrtar nuk ka marrë asnjëherë publikisht përgjegjësi për sulmet brenda Rusisë.
Të hënën, Roman Busargin, guvernator i rajonit të Saratovit, tha se objektet e infrastrukturës civile nuk u dëmtuan nga ky incident i fundit, për të cilin tha se autoritetet kishin filluar hetimet.
Mbrëmjen e djeshme, presidenti Putin deklaroi se Rusia është e gatshme për t’i dhënë fund luftës, duke u shprehur “i hapur për negociata”.
Por autoritetet ukrainase janë skeptike për këto deklarata, duke e akuzuar liderin rus se po kërkon kohë për të rigrupuar ushtrinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje