Administratori i përgjithshëm i Milanit, Ivan Gazidis, është në kërkim të njeriut, i cili do të vërë në jetë projektin e tij për rilindjen e ekipit kuqezi. Drejtuesi i klubit ka theksuar së fundi se Milani ka pasur një bilanc katastrofik, kështu që nuk mund të vazhdohet me premtime false, me premtime për blerjen e lojtarëve të kalibrit të lartë, sepse diçka e tillë është e pamundur në këtë moment.
Paolo Maldinit i është ofruar roli i drejtorit të sektorit teknik te Milani, rol që ka mbetur bosh pas largimit të Leonardos. Në pritje të përgjigjes së legjendës kuqezi, Ivan Gazidis ka si objektiv të parë gjetjen e një drejtori sportiv, i cili duhet të jetë në gjendje të vërë në praktikë idetë e tij dhe të rinovojë Milanin. Një detyrë, që për Gazidis nuk mund të kalojë kurrsesi në plan të dytë, pasi do të jetë pikërisht drejtori sportiv ai që do të ndërtojë skuadrën e sezonit të ardhshëm. Emri i atij që do të jetë në krah të Maldinit për momentin është sekret, por gjasat më të mëdha janë që Gazidis t’i besojë një të huaji dhe jo një italiani. Orët e fundit po flitet për profilin e Sven Mislintat, aktualisht te Shtutgarti dhe me një të kaluar tek Arsenal.

Megjithatë, duke qëndruar në Itali, profili që u afrohet më shumë ideve të futbollit që kërkon administratori i deleguar i Milanit, sipas “SportMediaset”, është Igli Tare. Me Taren lidhet edhe një emër tjetër, ai i trajnerit Simone Inzagi, që mund të marrë drejtimin e Milanit. Cilido që të jetë drejtimi që do të ndjekë Milani, është evidente që ky klub ka nevojë për një figurë që mund ta përfaqësojë në mënyrë konkrete dhe konstante. Kohët e fundit Milani pati jo pak probleme me pjesën e komunikimit mes drejtuesve të tij dhe kjo ishte një arsye pse Leonardo u largua. Në momentet më delikate të sezonit, drejtuesit e klubit kuqezi dukeshin shumë të distancuar nga trajneri, i cili kurrë nuk u mbështet publikisht. Një tjetër pikë e dobët ishte qëndrimi i drejtuesve të Milanit në rastet e gabimeve arbitrare, kur në fakt duhej ngritur zëri fuqishëm.
Kjo linjë e klubit bëri që trajneri Gatuzo të merrte gjithmonë të gjitha përgjegjësitë dhe këtu duket se ai e komplikoi punën, kur rezultatet nuk ishin pozitive, sidomos pas derbit me Interin, ku iu dha një goditje e fortë objektivit të Championsit. Në situata të tilla është krijuar ideja e një klubi po një staf drejtues. Gazidis është sjellë gjithmonë në përputhje me rolin që ka te Milani, Leonardo ishte personi që duhej të qëndronte më afër skuadrës dhe trajnerit, por shpesh ka qenë Gatuzo ai që merrej edhe me komunikimin për çështje të tjera të klubit. Prandaj, njeriu të cilit do t’i besohet roli i drejtorit sportiv, duhet të jetë një komunikues i shkëlqyer dhe një “ombrellë” për trajnerin në momentet e vështira gjatë sezonit. Ai mund të jetë Igli Tare, që duhet të fitojë konkurrencën me Mislintat, por edhe me Ariedo Braidën. Por kujdes, sepse edhe Monkadas, një skaut i Milanit, prej kohësh flitet se do t’i besohet një rol i rëndësishëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje