Futboll

Duka: Bojkoti s’është luftë ndaj qeverisë, kampionatin e nis për 5 minuta

Nëse kërkesat e Ligës plotësohen, kampionati nis për 5 minuta. Kjo është deklarata e fundit e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, në emisionin “Java“ në “RTSH“. Qëndrimi i kreut të futbollit në vend këtë here u duk më i butë, ai evidentoi edhe një herë mungesën e vullnetit të qeverisë për plotësimin e kërkesave të parashtruara nga klubet e Superiores, që sipas tij, janë për mbijetesë dhe jo për luks.

Presidenti Duka theksoi se bojkoti që ka nisur prej disa javësh nuk është një luftë ndaj qeverisë, por përpjekje për të shpëtuar futbollin. “Nuk është luftë e futbollit ndaj qeverisë dhe Kryeministrit Rama, por kërkesë për të përmirësuar futbollin. Nuk është luks, por mbijetesë. Nuk kemi trokitur asnjëherë në derën e qeverisë dhe nuk kërkojmë luks, por një përgjegjësi duhet ta mbajë çdo qeveri. Futbolli ka bërë sakrifica në kohën e pandemisë, nuk kishte asnjë mbështetje nga qeveria. Është ironizuar dhe futbollistët janë parë si njerëz që nuk kontribuojnë për taksat e këtij vendi.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe Kryeministri Edi Rama. Gazeta Si, 2 tetor 2020

Kërkesat tona nuk janë të këtij viti, janë bërë vite më parë. Janë detyra të qeverisë që vetë i ka premtuar. Nuk kemi hyrë për të fituar një betejë, kërkesat janë për të mirën e të gjithëve. Ne kemi tentuar të flasim me qeverinë dhe kjo ka ndodhur që 5 vite më parë. Vetë Kryeministri na ka kërkuar se çfarë ndryshimesh ligjore duhen. Nuk janë marrë parasysh kërkesat tona të vitit 2016, që ishte vetë Kryeministri që i premtoi. Disa thonë se disa gjëra kanë ndryshuar, por mendoj se nuk është bërë asgjë në sport.

Aktorët e futbollit, duke parë refuzimet e qeverisë, vendosën për bojkot. Duan që situata të marrë zgjidhje, sepse në të kundërt nuk mund të luhet futboll. Kryesorja është ligji i sponsorizimit, sepse sot buxheti për sportin është 700 mijë euro. Vendimi nuk është marrë nga mua, presidentët e klubeve vendosën ta bojkotonin kampionatin, nuk është shantazh ndaj qeverisë. Fillimin e kampionatit e bëj të mundur brenda 5 minutash, që nesër, nëse Kryeministri pranon të plotësojë ato kërkesa“, – tha mes të tjerash presidenti i FSHF-së, Duka.

Në zë thuhet se kampionati do të nisë më 17 tetor, pas ndeshjeve të Kombëtares. Liga Profesioniste i ka bërë 4 kërkesa qeverisë, ku më e rëndësishmja është ajo e miratimit të ligjit për sportin. Deri në plotësimin e kërkesave do të ketë bojkot. Kryeministri Rama tha në një nga daljet e tij të fundit se shantazhi nuk shkon me të dhe se bojkoti nuk e shqetëson aspak.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë