Futboll

Duka e mori si model, por në Francë shpërthen revolta e klubeve

“Mund ta bëjmë si Franca”, – tha presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një nga daljet e fundit publike, duke iu referuar mbylljes së kampionatit të futbollit në këtë vend. Një mbyllje para kohe, i bazuar në renditjen aktuale, me shpalljen e ekipit kampion (PSG), atyre që shkojnë në kupat e Europës dhe atyre që bien nga kategoria.

Armand Duka, presidenti i FSHF-së. Gazeta Si, 2 maj 2020

Nëse edhe FSHF ndjek këtë model, pra duke fotografuar renditjen aktuale, Tirana shpallet kampione, Kukësi, Laçi dhe Teuta shkojnë në Ligën e Europës, ndërsa Flamurtari dhe Luftëtari bien nga kategoria Superiore. Por ky variant mund të krijojë shumë polemika dhe të shkaktojë revoltë, siç po ndodh aktualisht në Francë. Një revoltë klubesh të pakënaqur, me në krye Lionin, që mbetet jashtë Europës, siç mbetet edhe Partizani në vendin tonë. Në Francë po protestojnë fuqishëm edhe Tuluza dhe Amiens, të rëna në Ligën 2, siç mund të protestojnë edhe Flamurtari e Luftëtari, dy skuadrat e vendeve të fundit.

Po ashtu, skema e zgjedhur nga Franca ka bërë të protestojnë edhe shumë klube diletantësh. Ekziston rreziku që mbyllja e kampionatit pas javës së 28-të dhe dhënia e verdikteve sipas renditjes aktuale, të shkojë në gjykatë. Për këtë janë në dijeni drejtuesit e Ligës në Francë, si dhe ministri i Sportit, Roxana Maracineanu, që kërkon respektimin e vendimit të marrë për shkak të një çështjeje madhore.

Partizani feston një gol. Gazeta Si, 2 maj 2020

Si Lioni në Francë është Partizani në vendin tonë, i 6-i në renditjen aktuale dhe jashtë kupës së Shqipërisë, pra jashtë kompeticioneve europiane. Pakënaqësi “skema franceze” do të shkaktonte edhe në Kategorinë e Parë, konkretisht në skuadra si Apolonia, Besëlidhja, Dinamo dhe Elbasani. Në këtë kategori, vetëm dy skuadrat e vendeve të para në grupe, Kastrioti dhe Pogradeci, ngjiten në elitë, dy vendet e dyta humbin mundësinë e ndeshjeve shtesë, ndërsa dy skuadrat e fundit në çdo grup, ku bëjnë pjesë Elbasani, Turbina dhe Dinamo (në grupin A është përjashtuar Shkumbini), bien nga kategoria. Efekti “domino” vazhdon edhe në Kategorinë e Dytë.

Që të gjitha këto klube nuk e kanë pritur mirë hipotezën e ngritur nga presidenti i FSHF-së, nëse kampionatet nuk mbyllen në fushë. Presidenti i Lionit në Francë, Jean-Michel Aulas, duke qenë se klubi i tij humb dhjetëra milionë euro, po përgatitet për gjyq, duke reklamuar edhe dëmet e pësuara. Këtë rrugë do të ndiqte edhe Partizani dhe klube të tjera në vendin tonë që digjen nga ky variant, kështu që nuk është aspak e thjeshtë çështja e mbylljes së sezonit.

Tifozët e Dinamos gjatë një ndeshje. Gazeta Si, 2 maj 2020

Edhe klubet që bien nga kategoria kanë të drejtën të protestojnë, pasi janë afër me pikë me rivalët e tyre. Si Amiens dhe Tuluzë në Francë mund të veprojnë edhe Elbasani e Dinamo, dy nga klubet me më shumë emër në vendin tonë. Ndoshta në tavolinë duhen hedhur edhe formula të tjera, gjithmonë në pamundësi të luajtjes së ndeshjeve të mbetura në kalendar, për të gjetur variantin më të përshtatshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë