Futboll

Duka sqaron ndryshimet në statut dhe investimin 900 mijë euro në “Air Albania”

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka folur në “Top Albania Radio” për vitin që po mbyllim, ndryshimet në statut, investimet në “Air Albania” dhe atë çfarë pret në 2021-shin.

“Duhet të jemi gëzuar që jemi mirë me shëndet në këtë vit të vështirë dhe të pazakontë. Nga janari jemi munduar t’i shmangemi Covid-19 dhe për fat të mirë shumica ja kanë kaluar paq, uroj të kemi sa më pak dëme. Edhe unë isha një nga të prekurit dhe falë Zotit e kalova. Uroj që në vitin 2021 të jemi gjithmonë bashkë dhe t’i ndajmë fizikisht të gjitha”, – tha fillimisht presidenti Duka, për të kaluar më pas te futbolli.

Armand Duka, presidenti i FSHF. Gazeta “Si”, 25 dhjetor 2020

“Duhet të presim t’i kthehemi normalitetit, të kemi një aktivitet me protokolle më të lehtësuara, larg kufizimeve që na solli Covid-19, me tifozë në stadiume, me sportistë që të stërviten lirshëm dhe të kenë mundësi të japin maksimumin e tyre. Na presin aktivitete shumë të rëndësishme ndërkombëtare në mars, kur fillojmë eliminatoret e Botërorit me Andorrën, me një ndeshje në Tiranë kundër Anglisë në 28 mars. Uroj ta kemi edhe stadiumin plot dhe pse jo të bëjmë një rezultat historik”, – ka theksuar kreu i FSHF-së.

“Air Albania” do ketë një fushë perfekte për vitin 2021. Kemi marrë masat për disa ndryshime teknologjike të domosdoshme për atë lloj impianti. Nuk do të ndërrohet fusha deri në mars, sepse fizikisht është e pamundur, do bëhen një sërë shërbimesh të tjera për të pasur një gjendje optimal. Gjendja perfekte do jetë në qershor. Pas ndeshjes me Anglinë do bëjmë zëvendësimin e fushës me fushë të re.

“Air Albania Stadium”. Gazeta Si, 25 dhjetor 2020

Investimi është shumë i madh, sistemi i ndriçimit, i ventilimit apo edhe bari hibrid është investim prej 900 mijë eurosh. Ndihmë nga qeveria? Jo, nga qeveria nuk kemi ndonjë shpresë në këtë drejtim, shpresoj të na sigurojnë vaksinën e Covid-19. Kemi bërë përpjekje me UEFA-n, duke qenë se stadiumi është përcaktuar për zhvillimin e finales së “UEFA Conference League 2022”. Pavarësisht se nuk ka një vendim për të na financuar, ne do ta fillojmë me financimet tona, por kam besim që UEFA do të na mbështesë”, – ka thënë Duka sa i takon investimit në stadium.

Kreu i FSHF-së ka sqaruar edhe ndryshimet në statut, që janë përfolur shumë ditët e fundit: “Statuti është kushtetuta e një organizate. Statuti ka pësuar ndryshime të herëpashershme në FSHF. Me udhëzimet e FIFA-s për të njehsuar statutin me të gjithë federatat botërore, kemi bërë ndryshimet në statutin e federates, që unë dhe specialistët jemi munduar t’i sqarojmë në Asamble.

Kanë të bëjnë me përafrimin me statutet tip të FIFA-s dhe federatave botërore, në përputhje me legjislacionin shqiptar. Kushdo që luan futboll e gjen veten pranë federatës tashmë. E vetmja kompetencë që ka presidenti në vendimmarrje, është të propozojë stafet e ekipeve kombëtare dhe Sekretarin e Përgjithshëm dhe ky propozim duhet miratuar nga Komiteti Ekzekutiv. Ka pasur abuzime në opinionin publik për ndryshimet në statut. Ai nen i statutit që thotë se presidenti i FSHF-së duhet të jetë rezident në Shqipëri, ka qenë aty dhe nuk ka pësuar asnjë ndryshim.

Statusi nuk pengon askënd të kandidojë, as personat që nuk banojnë në Shqipëri në momentin e kandidimit, por sigurisht statuti të detyron të jesh rezident në Shqipëri në momentin e ushtrimit të detyrës. Është normale që presidenti i FSHF-së duhet të jetojë në Shqipëri. Për sa i përket politikës, nuk është shpikje shqiptare, është në të gjithë botën. Futbolli tenton të ketë sa më pak aktorë politikë në drejtimin e organizatave sportive. Statuti jonë ka pasqyruar të njëjtën gjë, që personazhet politike të mos jenë në poste drejtuese të FSHF-së. Kam garuar me personazhe politike dhe më pëlqen gara me ta”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë