Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka folur së fundi për disa nga temat kryesore që kanë të bëjnë me futbollin në vend: kampionatin, sigurinë, bastet dhe stadiumin e ri, deri tani të njohur si “Arena Kombëtare”. Për këtë të fundit ai ka sqaruar se nuk ka ende një emër, pasi është një çështje komerciale. Presidenti Duka pohoi gjatë një interviste për “Ora News” se stadiumi i ri do të jetë gati brenda vitit të ardhshëm.
“Punimet kanë ecur mirë. Aktualisht jemi në dorën e fundit të projektit, që është shumë i bukur. Është një stadium vërtet shumë i bukur dhe komod. Kulla? Nga stadiumi ajo nuk shihet. Nëse nuk do të ketë pengesa, brenda vitit 2019 do të luajmë në këtë stadium. Stadiumi është i ri dhe ende nuk ka një emër. Nuk është as ‘Arena Kombëtare’ dhe as ‘Qemal Stafa’, pasi është një objekt i ri, që ka bashkëpronarë qeverinë shqiptare dhe FSHF-në. Një bashkëpronar nuk i ka dhënë kontributet e veta. Ne duhet ta komercializojmë emrin e stadiumit. Gjermania, një vend shumë më i zhvilluar se ne, e quan stadiumin ‘Allianz Arena’ për arsye komerciale, kështu që nuk ka pse stadiumi në Tiranë të mos ketë një emër komercial.
Ngërçi me qeverinë nuk është zgjidhur ende. Kemi një buxhet, që është financuar vetëm nga donatorët e FSHF-së, nga projektet e UEFA-s. Qeveria nuk ka dhënë asnjë kontribut financiar dhe rimbursimi i TVSH-së duhet të bëhet, sepse është e zeza mbi të bardhë dhe na cenon. Sebepi i këtij ngërçi është absurd: kemi aplikuar një javë më vonë. Në rregull, le të bëhet rimbursimi një javë më pas. Në fund të fundit, pengohet përfundimi i punimeve. Më shumë më duket se është një i vogël, që luan në komisionet e financave apo komisionet e ekonomisë. Nuk mund të them se është vullneti i qeverisë apo i kryeministrit”, – ka thënë presidenti Duka, duke thumbuar deputetin Braçe, me të cilin ka pasur gjithmonë përplasje.

Kreu i Federatës ka folur më tej për kampionatin, akuzat për shitje-blerje ndeshjesh, çështjen e basteve dhe atë të sigurisë në stadiume: “Në Shqipëri ka gjithmonë akuza për blerje dhe shitje. Në Shqipëri ka mungesë besimi në çdo gjë, aq më shumë në një lojë. Ka njerëz që vënë bast 1 mijë apo 2 mijë lekë dhe kur humbin, thonë se e shiti Mesi apo Ronaldo. Pikat e basteve në vendin tonë mendoj se do të ndalohen, aq sa është ndaluar duhani në lokale. Stadiumet? Duhet të kemi një nivel më të kulturuar, që në stadium të vijnë edhe femra. Duhet një klimë e pranueshme, ndaj dhe Komisioni i Disiplinës merr shpesh vendime të kontestueshme, edhe pse janë vendime kolektive.
Largimi i policisë nga stadiumet nuk është iniciativa jonë. Ne nuk është se kemi qenë pro vendimit për ta larguar policinë nga stadiumet, por kemi qenë para një fakti dhe jemi detyruar të bëjmë më të mirën pa policinë e shtetit në stadiume. Duhet të shohim realitetin tonë dhe jo të bëjmë krahasime me Anglinë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje