Opinion

Duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në KiE, Serbia minon marrëveshjet e nënshkruara me BE

Nga Kushtrim Istrefi* – Në maj të vitit 2022, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës, organizatën kryesore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontinent. Për t’u anëtarësuar, kërkohet një shumicë prej 2/3 midis anëtarëve, gjë që duket reale duke pasur parasysh se vendi është njohur nga më shumë se 2/3 e shteteve anëtare të organizatës.

Serbia ka reaguar ashpër kundër këtij aplikimi dhe një diplomat europian në Strasburg sugjeroi se Serbia ka kërcënuar se do të largohet nga Këshilli i Europës nëse Kosova anëtarësohet. Kërcënimi duket joreal, sepse Kosova dhe Serbia janë të dyja anëtare të disa organizatave dhe nismave të tjera, por përgjigja antagoniste e Serbisë është shqetësuese për disa arsye.

Së pari, një analizë më e kujdesshme tregon se qëndrimi i Serbisë bie ndesh me marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE-ja dhe kërcënon të ardhmen e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Së dyti, tregon gjithashtu mungesën e përpjekjeve të vërteta të Serbisë për të përfaqësuar interesat e serbëve të Kosovës në dialogun e Brukselit, duke pasur parasysh se serbët e Kosovës do të përfitonin mbrojtje më të mirë të të drejtave të tyre nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës.

Në këtë sfond, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës duhet parë si një test i përkushtimit të Serbisë ndaj dialogut të BE-së dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Kosovën në një mënyrë që i shërben, ndër të tjera, interesit të serbëve të Kosovës.

Më lejoni t’i shpjegoj më në detaje këto dy pika.

Së pari, kundërshtimi i Serbisë dhe inkurajimi i të tjerëve për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës është në kundërshtim me tekstin dhe frymën e Marrëveshjes së Brukselit të ndërmjetësuar nga BE të vitit 2013 për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje “historike” thotë në paragrafin 14 se “asnjëra palë nuk do të bllokojë, apo inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugët e tyre përkatëse në BE”.

Këshilli i Europës nuk është BE. Megjithatë, rruga drejt BE-së kalon përmes Këshillit të Europës. Komisioni Europian ka vërejtur në shumë raste se legjislacioni i BE-së për vendet kandidate përfshin ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut. Kjo lidh drejtpërdrejt Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Komisioni deklaroi në janar 2007 se “në negociatat për anëtarësimin e anëtarëve të rinj të Bashkimit Europian, respektimi i Konventës dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut trajtohet si pjesë e acquis të Bashkimit”.

Opinioni i Komisionit i vitit 1997 mbi aplikimin e Bullgarisë për anëtarësim në BE thekson se çdo shtet që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian duhet së pari të ketë ratifikuar konventën e Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut.

Qëndrimi i Komisionit se konventat e Këshillit të Europës dhe praktika gjyqësore e tij janë kushte për anëtarësimin në BE nuk është befasues. Neni 49 i Traktatit të Bashkimit Europian (TEU) parashikon se “Çdo shtet europian që respekton vlerat e përmendura në nenin 2 dhe angazhohet për t’i promovuar ato, mund të aplikojë për t’u bërë anëtar i Bashkimit”.

Këto vlera përfshijnë respektimin e konventës së Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut dhe praktikën gjyqësore të saj, e cila gjithashtu paraqet parime të përgjithshme të së drejtës së BE-së.

Në këtë sfond, çdo pretendim i Serbisë për dekurajimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës është në kundërshtim me Marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Përtej këtyre argumenteve ligjore, është e pakuptueshme që Serbia të kundërshtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës pasi ka nënshkruar një marrëveshje ku zotohet të mos konkurrojë, apo të inkurajojë të tjerët që të kundërshtojnë rrugën e Kosovës drejt BE-së, një organizatë tjetër e bazuar në të njëjtat vlera të të drejtave të njeriut, sundimi i ligjit dhe demokracia.

Së dyti, është përsëritur nga shumë aktorë që lehtësojnë dialogun se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është e përqendruar në njohjen reciproke të të dy shteteve, por edhe në sigurimin e mbrojtjes së pakicave serbe në Kosovë.

Meqë Këshilli i Eroupës është organizata kryesore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, nuk ka kuptim që Serbia të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës. Kjo do t’i pengonte qytetarët serbë që të paraqesin ankesa për të drejtat e njeriut kundër Kosovës në Gjykatën e Strasburgut, përkundër faktit se Serbia është pajtuar që serbët e Kosovës të integrohen në institucionet e Kosovës që funksionojnë sipas ligjeve të Kosovës.

Për shembull, neni 10 i marrëveshjeve Kosovë-Serbi të vitit 2013 parasheh shfuqizimin e strukturave të veçanta paralele serbe në veri të Kosovës dhe integrimin e tyre në sistemin unitar të Kosovës.

Nëse Serbia dhe Kosova janë të sinqerta në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve si pjesë e dialogut të BE-së, ato duhet të fillojnë duke respektuar kushtet dhe frymën e marrëveshjeve të BE-së. Dështimi për ta bërë këtë mund të vërë në pikëpyetje arsyen e ekzistencës së dialogut të BE-së.

Prandaj, reagimi i Serbisë ndaj aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës duhet të shihet si një test i përkushtimit të saj dhe potencialit të dialogut të BE-së. Ky është një moment i përsosur për të treguar se Serbia po bën një përpjekje të vërtetë për të përmirësuar pozitën e serbëve në Kosovë dhe për të arritur një marrëveshje përfundimtare.

*Autori është profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut në Universitetin e Utrehtit, si dhe anëtar i Institutit të të Drejtave të Njeriut në Holandë.

Burimi Euractiv. Përktheu Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë