Të premten u nda nga jeta Bashkim Kopliku, ish- zëvendëskryeministër i Shqipërisë në periudhën 1992-95. Ai ishte deputet i PD për periudhën 1991-97, kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë gjatë asaj kohe dhe anëtar i kryesisë se PD-së deri në vitin ’97. Prej atij viti, (për shkak të debateve brenda partisë), fillon shkëputja e madhe e Bashkim Koplikut me PD.
Kopliku nuk iu bashkua më kësaj force politike me argumentin se ai nuk ishte tërhequr nga mendimi politik i PD-së së vitit ’91, porse PD-ja ishte ajo që iku nga pozicioni i saj fillestar. Përmes komentesh, ai nuk pranoi asnjëherë koalicionin e PD-së me LSI si dhe kritikoi prej vitesh faktin se PD-ja po shkëputej nga mendimi i saj ideologjik duke kaluar majtas.
Për Bashkim Koplikun (njeriun e përjashtuar nga forumet partiake në ’97) fillimisht nuk pati ndonjë ngushëllim qoftë edhe formal nga PD-ja apo nga ish-bashkëpunëtori i tij, Sali Berisha, i cili (para përplasjeve) e kishte dekoruar edhe me Urdhrin e Lirisë…
Por nga kryeministri Edi Rama, po.
“Bashkim Kopliku u nda nga jeta pasi humbi betejën me virusin vrastar. Nuk u takuam dot asnjëherë, por ishim bërë miq përmes ëhatsapit, ku ai më shkruante shpesh, me pak fjali, opinionin e vet kritik për punë të caktuara të qeverisë apo sugjerimin e tij në momente të nxehta politike.
Bashkimi ishte një demokrat sojli, prandaj edhe i papajtueshëm me kupolën e batakçinjve të PD, patriot, liberal i djathtë, antikomunist i paepur por po aq antifashist. Ndarja e tij me Partinë Demokratike, për të cilën kontribuoi fuqishëm në vitet e rrëmujshme pas krijimit të saj, ishte përveçse një refuzim thuajse përbuzës ndaj gjithçkaje mishëronte lideri i saj historik, edhe një mospajtim themelor me mungesën totale të identitetit të PD si parti e djathtë’, shkruan Rama.
“Nuk kam guxuar kurrë ta pyes për kë votonte, por di që distanca e tij ideologjike me PS ishte e pakapërcyeshme, ndërkohë që edhe për këtë arsye respekti krejt pa asnjë lloj interesi që më jepte në komunikimet tona, nuk e fsheh se ma përkëdhelte sedrën. Ai ishte një nga ata njerëz të rrallë sot, me virtytin e koherencës mes si fliste e si jetonte, burrë i ndershëm, fisnik nga ata kokëfortët deri në fund në të tijën, çka vihej re pa vështirësi edhe në ato që shkruante a thoshte kur e ftonin në ekrane – vite drite larg prej pazarxhiut tipik të kohëve që jetojmë, kategori e ulët e parimorëve mediatike, të cilët në mexhelis predikojnë virgjërinë teksa larg syve të publikut kurvërojnë me para, në këmbim të predikimeve të radhës”, shigjeton Rama.
“Do të më mungojnë mesazhet e Bashkimit, mikut që s’e takova kurrë, por e desha mu si një personazh libri, me të cilin mbetesh përgjithmonë në një lidhje të pakonfirmuar”.
Vetëm pas më shumë se një ore nga mesazhi homazh i Edi Ramës, Lulzim Basha përcolli disa fjalë ngushëlluese në Twitter.
“Me keqardhje mësova për ndarjen nga jeta të Bashkim Koplikut, politikanit që dha mbështetjen dhe kontributin e pakursyer që në ditët e para të krijimit të Partisë Demokratike. Ngushëllimet e mia shkojnë për familjen, miqtë dhe të afërmit e zotit Kopliku.
Angazhimi i tij si ligjvënës dhe zëvendëskryeministër gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike pas rënies së komunizmit, do të mbetet i pashlyeshëm në historinë e re të Shqipërisë. U prehtë në paqe!”, shkruan Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje