Bota

Dy Koretë riaktivizojnë “linjën e kuqe” të komunikimit pas një viti

Koreja e Veriut ka rifilluar bisedimet për nisjen e dialogut me Jugun. “Linja e nxehtë” e komunikimit, u riaktivizua këtë mëngjes nga zyrtarët e të dy qeverive pas një heshtjeje që zgjati më shumë se një vit. Në qershor të vitit 2020, Pheniani njoftoi se kishte prerë linjën dhe disa ditë më vonë kishte hedhur në erë me tritol zyrën ndërlidhëse ndër-koreane në Kaesong.

Këtë të martë, ka pasur më në fund tre minuta komunikim verbal midis dy palëve, tha Shtëpia Blu (presidenca e Republikës së Koresë së Jugut): Seuli shpreson që bisedimet mbi “Vijën e Kuqe” të shënojnë rifillimin e dialogut.

Mësohet se që nga prilli, dy udhëheqësit, Moon Jae-in dhe Kim Jong-un kanë shkëmbyer letra me premtime për “rivendosjen e besimit të ndërsjellë dhe zhvillimin e marrëdhënieve të tyre personale, sa më shpejt të jetë e mundur”.

Bisedimet teknike përgjatë linjës telefonike, do të ishin hapi i parë, siç konfirmon edhe Pheniani.

“Tani i gjithë kombi korean, dëshiron që marrëdhëniet Veri-Jug të dalin nga amullia”, – siguroi agjencia veriore e lajmeve të Veriut, KCNA.

Kjo është një hapje e re pas acarit të pasuar nga dështimi i samitit midis Donald Trump dhe Kim Jong-un në Hanoi në shkurt 2019. Moon Jae-in, pasi ka arritur në fund të mandatit të tij presidencial, përpiqet të nxitojë për të sjellë Kim në tryezën e negociatave, të paktën me Jugun.

Situata është komplekse, Joe Biden nuk ngutet për të diskutuar me Korenë e Veriut, përveç se nëse Kim, kryen një reduktim të raketave dhe arsenalit të tij bërthamor. Një saktësim mbi “hotline”-in, e cila në zhargonin politiko-ushtarak quhet edhe “Vija e Kuqe”.

Në të vërtetë, koreano-veriorët nuk e kishin ndërprerë atë: ata thjesht nuk iu përgjigjën dy takimeve ditore për më shumë se një vit. 48 linja telefonike janë shpërndarë përgjatë paraleles së 38-të në kufi, në mënyrë që të dy forcat e armatosura të mund të konsultohen në rast të “përplasjeve aksidentale”.

Dhe pajisjet e pritjes të përdorura nga koreano-jugorët në Panmunjom, ajo me rëndësi më të madhe politike, përbëhet nga një palë telefona me kabllo të lidhur me një kompjuter me një kornizë druri, i cili në ekran ka sfondin e Windoës XP, sistemit operativ Windows që nga viti 2001. Edhe kështu, dialogu mbahet gjallë dhe po bëhen përpjekje për të shmangur “luftën gabimisht”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë