Pas thuajse tre vitesh bisedime dhe dhjetra takimeve në nivel politik dhe teknik, me hyrjen e këtij viti kanë hyrë në fuqi marrëveshjet e para të arritura mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.
Marrëveshjet u vulosën gjatë samitit të radhës të mbajtur në Tiranë më 21 dhjetor. Marrëveshjet që hyjnë në fuqi heqin kërkesat për leje të posaçme pune për shtetasit e tre vendeve nënshkruese dhe lehtësojnë import-eksportin e kafshëve të gjalla përmes njohjes së certifikatave përkatëse të sigurisë të lëshuara nga autoritetet veterinare.
Në lidhje me tregun e punës, marrëveshja që ka hyrë në fuqi çliron shtetasit shqiptarët që duan të punojnë në Serbi dhe anasjella nga detyrimi për pajisjen me leje të posaçme pune. E njëjta gjë ndodh edhe me Maqedoninë e Veriut.
Për këtë qëllim është parashikuar ngritja e një skeme të përbashkët identifkimi elektronik të qytetarëve, ku do të ndërthuren të dhënat e të trija shteteve. Sistemi planifikohet që ketë në përbërje vetëm persona madhorë dhe me zotësi juridike për të vepruar dhe punuar.
Sipas Kryeministrit Edi Rama, marrëveshja për sistemin e integruar elektronik të shërbimeve, do t’i hapë rrugën krijimit të një sistemi të përbashkët elektronik për t’iu “dhënë mundësi të gjithë qytetarëve që duan të marrin shërbime të caktuara – duke filluar nga aplikimet për t’u regjistruar si të pranishëm në vendin tjetër – pa lëvizur nga vendndodhja e tyre”.
Marrëveshja tjetër që ka hyrë në fuqi është në fushën e import-eksportit të kafshëve të gjalla shihet. Ajo parashikon njohjen e certifikatave të sigurisë të nxjerra nga autoritetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi dhe e anasjella. Kjo marrëveshje shihet si një fillim i mirë për zgjerimin e fushës së saj të veprimit edhe te produktet e tjera bujqësore e blegtorale me kalimin e kohës.
“Dhe marrëveshjet në bllok për t’iu hapur rrugën të gjithë atyre që prej vitesh ndërveprojnë mes këtyre vendeve si prodhues, si eksportues e importues produktesh dhe që kanë një histori të vështirë pritjesh e verifikimesh, duke bërë të mundur që nga janari i vitit të ardhshëm të kalojnë lirisht në kufijtë dhe doganat respektive, pa pasur nevojë që të sigurojnë tre herë dokumente që lidhen me eksport-importin e produkteve të tyre bujqësore e blegtorale”, deklaroi Rama gjatë fjalës së mbajtur në samitin e Tiranës.
Edhe në Tiranë, Rama, Vuçiç dhe Zaev përsëritën thirrjen për tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës për aplikimin e katër lirive të lëvizjes sipas modelit të Schengen-it europian.
“Më lini që të kaloj nëpër secilën shtyllë të Ballkanit të Hapur duke përsëritur thirrjen për gjithkënd që të bëhet pjesë, pasi ‘Ballkani i Hapur’ është një nismë tërësisht përfshirëse dhe duke inkurajuar të tjerët në rajon që të jenë pjesë e kësaj përpjekjeje, por ndërkohë ne po ecim përpara sepse kjo është ajo çfarë kemi nevojë dhe çfarë duhet të bëjmë për të mirën e njerëzve tanë”, deklaroi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje