Komunitet

Dy mesazhet ‘politike’ të klerit të krishterë për Krishtlindje

Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse përçuan mesazhe tradicionale të festës së Krishtlindjes, që nuk iu drejtuan vetëm besimtarëve të tyre, por gjithë shoqërisë shqiptare.

Imzot George Frendo e përqëndroi mesazhin e urimit te nevoja për të reflektuar gjatë kësaj feste për të shpërndarë jo vetëm gëzim me të tjerët, por edhe përkujdesje.

“Një komb është i fortë kur kujdeset për të dobëtit; bëhet i pasur kur kujdeset për të varfrit; bëhet i palëndueshëm kur kujdeset për të lënduarit”. Nëse interesohemi për të ardhmen e demokracisë, duhet të rizbulojmë atë qëndrim moral që na bashkon njëri me tjetrin në një lidhje dhembshurie dhe kujdesi të ndërsjellë”, tha ai në mesazhin e fundit si Arqipeshkv i Mitropolisë së Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.

Kryepeshkopi Anastas e përqëndroi mesazhin festiv te nevoja për paqe, dashuri, gëzim e shpresë dhe bëri apel edhe për “qëndresë e qetësi”. “Nga rrezet e shumta të Diellit të Drejtësisë, dy janë veçanërisht aktuale për kohën tonë: qëndresa paqësore e personave kryesorë në rrëfimin biblik për Lindjen dhe thelbi i kuptimit të Krishtlindjes”, shkruan ai.

Pavarësisht se mesazhet përqëndrohen në anën festive të Krishtlindjes, ata përmbajnë edhe notat me vërejtje ndaj vendimmarrësve, pra politikës. Imzot Frendo i fton në një “qëndrim moral që na bashkon njëri me tjetrin në një lidhje dhembshurie dhe kujdesi të ndërsjellë” për të ndihmuar të pamundurit.

Kryepeshkopi Anastas e përqëndron mesazhin te qëndresa e qetësia, dy fjalë që në këto ditë të vrullshme mund të marrin edhe kuptimin politik në Shqipëri, megjithëse në mesazhin e tij urues, Kryepeshkopi e shpjegon në fund se ftesa për qëndresë dhe qetësi i adresohet pandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë