Politike

Dy raportet e Këshillit të Mandateve. Kuvendi miraton të enjten arrestimin e Berishes

Nga Gazeta Si- Janë depozituar në Kuvend dy raportet e përpiluara nga anëtarët e Këshillit të Mandateve të cilët dy ditë më parë me 6 vota pro votuan në mbështetje të kërkesës së SPAK për arrestimin e ish kryeministrit Sali Berisha i cili akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani.

Njëri prej tyre është raporti i mazhorancës, kurse raporti tjetër është i deputetit Enkelejt Alibeaj që ishte i vetmi përfaqësues i opozitës në Këshillin e Mandateve. Të dy raportet i kërkojnë Kuvendit dhënien e autorizimit për ti hapur rrugë kërkesës së SPAK që kërkon heqjen e imunitetit të Sali Berishës.

“Përfundimisht, si anëtar i Këshillit për Imunitetin, i rekomandoj seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojë, për miratimin kërkesës për dhënien e autorizimit, të kërkuar me shkresën nr. 16688 prot., datë 12.12.2023 të SPAK “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, rekomandon në fund të raportit të Enkelejd Alibeaj.

Konkluzioni është i njëjtë dhe në raportin e anëtarëve të mazhorancës të cilët i rekomandojnë Kuvendit pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurisë.

“Anëtarët e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, duke vlerësuar parimet kushtetuese për funksionimin e shtetit së drejtës, parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, barazisë para ligjit së të gjithë shtetasve, respektimit të të drejtave të njeriut dhe garancive procedurale në hetim dhe procesin penal, me qëllim që drejtësia të ushtrojë funksionet e veta në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, në zbatim të nenit 73 të Kushtetutës, nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit, unanimisht i rekomandojmë Kuvendit: Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Detyrimit për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në atë të arrestit në burg/arrest në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale”, nënvizohet në raportin e mazhorancës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë