Bota

Dy të burgosur britanikë kërkojnë të shkëmbehen me oligarkun pro-rus

Gazeta Si – Dy shtetas britanikë që luftuan me trupat ukrainase dhe u kapën robër nga rusët, u shfaqën në televizionin e Moskës.

Në një video, të dy iu drejtuan kryeministrit britanik Boris Johnson dhe kërkuan të liroheshin në një shkëmbim me Viktor Medvedchuk, oligarku i opozitës ukrainase dhe deputeti i arrestuar ditët e fundit nga inteligjenca e Kievit.

Ndërkohë, Medvedchuk, nga ana e tij, ka nisur një apel, në Telegram, duke iu drejtuar presidentit ukrainas Voldymyr Zelensky dhe presidentit rus, Vladimir Putin: ai propozon të lirohet në këmbim të disa ushtarëve të kapur ose banorëve të Mariupolit.

“Kërkoj të shkëmbehem nga pala ukrainase me mbrojtësit e Mariupolit dhe banorët e tij që janë atje dhe nuk kanë asnjë mënyrë për të dalë të sigurt nga korridoret humanitare”, – thotë oligarku në një video.

Më parë, gruaja e Medvedchuk, i bëri thirrje Putinit që të negocionte lirimin e bashkëshortit të saj si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve.

Shumë vëzhgues kanë raportuar se videot e ushtarëve britanikë të transmetuar në TV rus, janë rezultat i një montazhi të dukshëm, duke ngritur dyshime për vërtetësinë e apelit të tyre.

Në mënyrë të ngjashme, edhe video-mesazhi i Medvedchuk – i cili u rilançua në kanalet e tij nga shërbimi i sigurisë ukrainase – duhet lexuar me kujdes: duke qenë i burgosur, është e arsyeshme të mendohet se thëniet e tij ndikohen në mënyra të ndryshme nga nevojat propagandistike të Ukrainës.

Një nga dy ushtarët britanikë, e identifikoi veten në video si Shaun Pinner, tjetri – shkruan agjencia e lajmeve “Reuters” – mund të jetë Aiden Eslin. Dyshohet se Pinner, 48 vjeç, ishte kapur duke luftuar përkrah ukrainasve në Mariupol.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë