Politike

Dyfishimi i çmimit të referencës, Boçi: Rama po i shërben oligarkëve

Nga Gazeta ‘Si’ – Deputeti Luçiano Boçi në një deklaratë për mediat tha se rritja e çmimeve fiskale do të sjellë automatikisht rritje të pagesës vjetore të taksës së apartamenteve, të njësive tregtare dhe ndërtesave të tjera, pasi taksa llogaritet mbi vlerën e shtëpisë apo të dyqanit.

Për të dyja kategoritë pushteti vendor e llogarit vlerën e ndërtesës mbi çmimet e referencës. Përfaqësuesi i Rithemelimit tha se me këtë vendim qeveria do ti shërbejë oligarkëve.

“Të dëmtuarit e mëdhenj janë qytetarët shqiptarë dhe ndërtuesit e vegjël.

Ky vendim i Edi Ramës dhe ndërtuesve në paradhomën e tij nuk prek vetëm ata që do të blejnë nga sot e tutje, por edhe ata që kanë një shtëpi apo biznes aktualisht. Edhe atyre, pra cdo qytetari do t’u rritet barra e takes.

Bizneset do preken edhe më shumë, deri në 91 përqind, sepse formula e llogaritjes së vlerës së taksës së ndërtesës llogaritet sa dyfishi i çmimit fiskal për metër katror të apartamenteve”, tha Boçi.

Sipas tij, kësaj nuk do i shpëtojnë as parkimet e mbyllura dhe bodrumet do që të rriten nga 2 deri në 78% për 32 zonat kadastrale të Tiranës. Po ashtu rritje ka edhe për pronarët e fabrikave prodhuese, depove magazinave dhe atyre të parkimeve të hapura.

“Partia Demokratike është kundër këtij taksimi që shton barrën fiskale të familjeve dhe bizneseve. Këto taksa janë një ekzekutim i mundësisë për kursim të familjeve shqiptare, shkollim të fëmijëve dhe një tjetër shtysë drejt falimentit për mijëra biznese të vogla.

Me ardhjen tonë në drejtimin e vendit ne do t’i ulim të gjitha këto taksa dhe e cilësojmë rritjen e tyre një masë çnjerëzore të qeverisë Rama”, tha Boçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë