Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar në Kuvend disa propozime për ndërhyrje ligjore, që në këndvështrimin e SPAK do të lehtësonte ngarkesën e kësaj strukture dhe rriste cilësinë e hetimeve.
Thelbi i ndryshimeve të propozuara nga SPAK qëndron në dy elemente. I pari ka të bëjë me kompetencën për hetimin e veprave penale që lidhen me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Aktualisht, Kodi i Procedurës Penale ngarkon SPAK për hetimin në të gjithë territorin e vendit dhe të të gjitha kallëzimeve e dyshimeve për parregullsi në tendera. Kjo ka dyndur në SPAK një numër të lartë të kallëzimeve, ku pjesa dërrmuese janë për tendera me vlera të vogla monetare.
Kreu i SPAK, Arben Kraja, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve kërkoi ndërhyrjen duke përcaktuar një limit minimal të vlerës së tenderave që duhet të hetohen Prokuroria e Posaçme. Si shembull, ai solli rastin e vendosjes së kufirit monetar minimal në rastet e akuzave për korrupsion të ngritura ndaj zyrtarëve.
“Na u lehtësua puna me ndryshimet kur u hoq korrupsioni i vogël, deri në shumën 50 mijë lek të reja. Te pjesa e prokurimeve publike duhet ngritur niveli i shumës ku duhet të futet Prokuroria e Posaçme, sepse ka një numër të lartë kallëzimesh, që duhet t’u japim zgjidhje”, tha Kraja.
Kreu i SPAK sugjeroi që tenderat më vlera të vogla t’u kalohen në kompetencë prokurorive të zakonshme. “Dhe ne të fokusohemi te tenderat dhe koncesionet e mëdha”, tha Kraja.
Sipas një udhëzimi të Këshillit të Ministrave, tendera të vegjël quhen ata me vlerë deri në 12 mln lek për kontratat e punëve publike dhe 8 mln lek për kontratat publike të shërbimeve dhe mallrave. Propozimi i SPAK kërkon që për tenderat nën këtë kufi, hetimet të kryhen nga prokuroritë e zakonshme dhe Prokuroria e Posaçme të përqendrohet te tenderat dhe koncesionet me vlera të mëdha monetare.
Megjithatë, në Kuvend po qarkullojnë disa ide. Gazeta Si konfirmon se një propozim është përcaktimi i kompetencës sipas autoriteteve prokuruese, ku SPAK do t’i hiqeshin nga kompetenca tenderat e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara dhe e pjesës më të madhe të bashkive, duke qëndruar vetëm te tenderat e autoriteteve qendrore dhe të bashkive të mëdha të vendit.
Ideja tjetër është që SPAK të hetojë vetëm tenderat me vlerë mbi 500 mln lek, që sërish do të reduktonte fluksin e dosjeve dhe kallëzimeve në këtë strukturë.
Sa për ndryshimin e dytë, SPAK ka kërkuar në Kuvend që të përfshihet asistenti ligjor për prokurorët e posaçëm. Aktualisht, me asistent ligjor janë të pajisur të gjithë prokurorët e zakonshëm, por jo prokurorët e SPAK. Koncepti i asistentit ligjor nuk u përfshi gjatë hartimit të ligjit për SPAK me arsyetimin se kjo pjesë do të mbulohej nga Byroja Kombëtare e Hetimit, që vepron nën ombrellën e prokurorëve të posaçëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje