Futboll

E diel e çmendur/ Aston Vila i bën 7 gola Liverpulit, Mourinjo poshtëron Junajtid

Një e diel e çmendur në Premier Ligë, e mbyllur me rezultatin më të papritur nga të gjithë: Liverpuli kampion në fuqi është mundur 7-2 nga Aston Vila. Më parë Mançester Junajtid kishte humbur 1-6 në fushën e vet ndaj Totenhemit të Zhoze Mourinjos.

Lojtarët e Liverpulit të dëshpëruar pas humbjes. Gazeta Si, 5 tetor 2020

Liverpuli e nisi shumë keq ndeshjen, me një gabim të portierit Adrian, i cili zëvendësoi të dëmtuarin Alison. Portieri spanjoll i dhuroi golin e parë Uatkins, i cili dyfishoi në të 22-ën, ndërsa Barkli më pas humbi dy raste. Salah shkurtoi diferencën, por Aston Vila shënoi më pas me MekGin, Uatkins, Barkli dhe dy herë me Grealish. I kotë goli i dytë i Salah në këtë ndeshje, ku veç Alison, mungonin edhe Alkantara dhe Mane. Trajneri Jurgen Klop u shpreh se ishte një “blackout” i pashpjegueshëm.

Para shembjes së Liverpulit ishte Tottenhemi që bëri një ndeshje të madhe në “Old Trafford”, ku fitoi 1-6 ndaj Mançester Junajitd. Ishte një rezultat përallor për Mourinjon, portugezin që u largua nga “Djajtë e kuq” në dhjetor të 2018-ës. Starti ishte i pabesueshëm: 3 gola në 7 minuta. Mançesteri kaloi në avantazh dhe më pas pësoi 2 gola, ndërsa Martial doli nga fusha me të kuq në minutën e 28-të, pasi goditi Lamelën. Ishte ky episodi më i diskutuar i ndeshjes, që u pasua nga shumë polemika.

Totenhemi festoin fitoren ndaj Mançester Junajtid. Gazeta Si, 5 tetor 2020

Gjithçka ndodhi në zonën e vogël, teksa Son ishte duke ekzekutuar një goditje këndi. Lamela shtyhet nga Martial, argjentinasi reagon dhe prek qafën e sulmuesit francez me bërryl dhe ky i fundit e godet. Ish-lojtari i Romës bie në fushë, arbitri Tejlor i tregon kartonin e kuq Martialit dhe VAR-i i jep të drejtë. Me 10 lojtarë dhe në disavantazh, Mançesteri është i pafuqishëm. Më pas pëson edhe 4 gola të tjerë, por duhet thënë se mbrojtja e Junajitd ishte në një ditë të errët që në fillim. Pas tri ndeshjesh, Mançesteri ka 3 pikë, me 1 fitore dhe 2 humbje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë