Tirana-Crvena Zvezda është një nga ato ndeshje që mund të luhen shumë rrallë, një ndeshje që e kalon fushën e blertë dhe ku fitorja merr vlera historike. Kampionët e Shqipërisë përballen sot në orën 20:00 me ata të Serbisë, për fat të mirë në “Air Albania”. Ata janë gati për të bërë “ndeshjen e jetës” për t’u kualifikuar në turin e tretë të Ligës së Kampionëve.
Futbolli ka parimet e veta, një prej të cilëve është se “në një ndeshje jo gjithmonë fiton më i forti”. Serbët janë më të fortë në letër, por Tirana i ka të gjitha mundësitë të bëjë goditjen e madhe dhe t’i eliminojë. Sot në mbrëmje do të ketë në mbështetje të gjithë shqiptarët. Çdo tifoz, edhe ata të Partizanit, rivalit të përjetshëm, do të bëjnë tifozllëk për të, sepse është një ndeshje patriotike. Me pak fat, kampionët e Shqipërisë mund të bëjnë atë që bënte vite më parë Flamurtari, duke eliminuar Partizanin e Beogradit. Është një ndeshje lavdie, një shans që nuk duhet humbur nga Tirana.

Trajneri Emanuel Egbo do t’i besojë formacionit fitues të Tbilisit. Ndryshimi i vetëm mund të jetë Hoxhallari, i cili e ka kaluar dëmtimin dhe pritet të zërë vend në të majtë të mbrojtjes. Loja e Tiranës logjikisht do të jetë e orientuar drejt mbrojtjes, por katërshja e sulmit, e përbërë nga Torasa, Kobinah, Kale dhe Muçi, është gati të bëjë keq në çdo moment. Kapiteni Batha dhe Çelhaka do të jenë “diga” e bardhebluve para mbrojtjes. Të dy do të kenë detyrën e vështirë të thyejnë sulmet e Crvena Zvezdës.
Kundërshtari është një ekip që shkon në grupet e Ligës së Kampionëve dhe kuptohet që i gjithë presioni është mbi të. Bardheblutë janë në rolin e sfidantit dhe mbi të gjitha aventura e tyre europiane vazhdon edhe në rast humbjeje, çka bën që lojtarët të jenë të çliruar krejtësisht në fushë. Crvena Zvezda nuk bazohet vetëm te lojtarët serbë si më parë, edhe ajo është prekur nga komercializimi i futbollit dhe në përbërje ka disa të huaj, të cilët janë edhe ndër më të mirët. Për t’u veçuar janë sulmuesit El Fardou Ben dhe Tomane.
Ndeshja do të gjykohet nga suedezi Sjoberg, ndërkohë që kompanitë e basteve favorizojnë dukshëm serbët, fitorja e të cilëve kuotohet me koeficientin 1.5, ndërsa fitorja e Tiranës ka koeficientin 6. Tirana ka sot në mbrëmje shansin që të bëjë krenarë gjithë shqiptarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje