Politike

E ka parë Shqipërinë në ’97, kush është zv-ambasadori i ri i SHBA që ka provuar shumë zanate

Krahu i djathtë i ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim pritet të jetë diplomati Demian Smith. Ai është emëruar si zv-Ambasador i SHBA në Tiranë  

Diplomati amerikan e ka vizituar për herë të parë Shqipërinë si turist në vitin 1997 dhe thotë se është i gëzuar “për aventurën e re, për rikthimin në Ballkan”  

“Mezi pres me padurim për të zbuluar Shqipërinë, shtëpinë tonë të re”, thotë ai

Demian Smith përshkruhet si një diplomat karriere. Ai e nisi detyrën si Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Shqipëri, në korrik 2021.

Më parë, ai ka shërbyer si Zv. Ambasador në Detyrë dhe Këshilltar Politik dhe Ekonomik në Ambasadën e SHBA në Uellington, Zelandën e Re.

Ne foto: Zv.Ambasadori i ri i SHBA ne Tirane, Demian Smith

Ai ka shërbyer gjithashtu si Shef Kabineti i Këshilltarit të Departamentit të Shtetit, duke menaxhuar projekte të veçanta diplomatike për Sekretarin e Shtetit John Kerry.

Detyrat e tij në Uashington përfshijnë Ndihmësin e Posaçëm në Zyrën e Çështjeve të Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe Kabinetin e Planifikimit të Politikave të Sekretarit.

Jashtë vendit, ai ka shërbyer në Tailandë, Serbi dhe Indi.

Në cv-në e tij thuhet se Demian Smith është aktiv në përpjekjet për këshillimin dhe rekrutimin e të rinjve në Departamentin e Shtetit, me një fokus të veçantë në komunitetin hispanik, si dhe është anëtar i Këshillit të Punonjësve Hispanikë të Agjensive të Punëve të Jashtme. Ai flet shqip, serbisht dhe spanjisht, si dhe pak frëngjisht dhe gjermanisht.

Para punës së tij në Departamentin e Shtetit, ai ka qenë drejtor në Këshillin Atlantik, mësues në shkollë të mesme, shofer autobusi shkolle dhe kuzhinier në një restorant teatroje me tematikë mesjetare.

Me origjinë nga Virginia Beach, Virginia, Demian është diplomuar në Kolegjin William & Mary dhe Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes.

Demian dhe gruaja e tij Susanne Sell kanë tre fëmijë dhe dy mace qimegjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë