Bota

E quajti “një vrasës”, Biden do të takohet me Putinin në Gjenevë në 16 qershor

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se një takim mes presidentit amerikan, Joe Biden dhe presidentit rus, Vladimir Putin, do të zhvillohet më 16 qershor në Gjenevë të Zvicrës.

Të dy udhëheqësit “do të diskutojnë shumë çështje të hapura dhe emergjente, teksa do të tentojmë të rikthejmë stabilitetin e marrëdhënieve SHBA-Rusi”, – ka nënvizuar Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate këtë të martë.

Ndërsa Kremlini, sipas “Reuters”, ka thënë se dy presidentët do të diskutojnë për pandeminë e koronavirusit, konfliktet rajonale dhe stabilitetin strategjik bërthamor.

Shtëpia e Bardhë, kishte dërguar këshilltarin e sigurisë kombëtare, Jake Sullivan në Gjenevë këtë javë për t’u takuar me homologun e tij rus, thanë zyrtarët, ndërsa po përgatiten për takimin e parë Biden-Putin.

Takimi i nivelit të lartë, vjen gati tre vjet pasi Putini u takua me presidentin e atëhershëm amerikan, Donald Trump në Helsinki, Finlandë. Disa muaj më parë, pak pasi mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, Biden e quajti homologun e tij “një vrasës”.

Sipas presidentit të sapo zgjedhur amerikan, Rusia do të paguante një çmim të lartë për tentativën e ndërhyrjes në zgjedhjet amerikane të vitit 2020.

Kremlini reagoi menjëherë, duke e cilësuar intervistën e Biden si një “sulm drejt Rusisë, një histeri që buron nga pamundësia”. Rusia më pas thirri menjëherë për konsultime ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Moskë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë