Në 11 vjetorin e liberalizimit të vizave, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ftoi demokratët që të mblidhen në Kuvendin e 18 dhjetorit.
“Detyra jonë është të bashkohemi rreth vlerave më të mira të forcës tonë politike, ta lëmë pas të kaluarën për të zgjedhur të ardhmen që vetëm ne mund t’ia japim Shqipërisë…”, tha Basha, duke këmbëngulur se Kuvendi i të shtunës do të mbahet.
Paralelisht Komisioni i Rithemelimit i miratuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit është shtirë në bazë për të zhvilluar atë që ata e cilësojnë si referendumi për vendimin që mori Kuvendi për shkarkimin e Lulzim Bashës.
Komisioni i Rithemelimit ka bërë publike orarin e të shtunës për votimi nga ora 08.00 deri në orën 17.00 të mbasdites.
Burime nga Komisioni thanë për Gazetasi.al se aty ku nuk ka bashkëpunim me kryetarët në degë, po punohet me nënkryetarët apo sekretarët e degëve, duke e ndarë thuajse në dysh procesin nga degët.

Një pjesë që përgatit delegatët për Kuvendin e të shtunës, pjesa tjetër për të shkarkuar Bashën.
Nuk dihet se si do të procedohet në selinë qendrore të partisë të shtunën, a do të ngrihet aty një grup votimi apo jo, në një kohe që Basha më të vetët do të zhvendoset në Pallatin e Kongreseve për të mbajtur Kuvendin “e tij”, një situatë kaotike me shumë pikëpyetje që nuk kanë marrë ende përgjigje.
Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi se vendndodhjet e qendrave të votimit, ku do zhvillohet referendumi do bëhen të ditura sipas degëve gjatë ditëve në vijim, duke lene te kutohet qarte se situata nuk eshte qartesuar ende.
Ndërkohë, deputeti i PD-së, Edi Paloka tha se i vetmi proces votimi do të jetë ai me 18 dhjetor.
“Vota është ajo që mund ta kishte zgjidhur që në fillim këtë krizë të shkaktuar nga Basha. Që ditët e para ja kam kërkuar edhe në sy edhe publikisht që minimalisht duhej të votëbesohej nga demokratët pas 9 shtatorit. Nuk e pranoi kurrë votën megjithëse ishte e vetmja mënyrë për të shmangur përçarjen.
Nëse kishte shumicën e demokratëve, siç deklaron, atëherë do ta ndiqnim të gjithë. Por një kryetar partie që nuk pranon votën e anëtarëve të tij dhe bën çdo hile për të mbajtur karrigen, duke shkatërruar partinë, nuk meriton asgjë. Justifikimin se është zgjedhur pak muaj më parë me 80% të votave, ta ruaj për të tjerë, jo për ne qe e dimë se si u zgjodh. Me datë 18 dhjetor demokratët do të votojnë në referendum. Ata vendosin jo disa karrige në seli që në fakt nuk i lidh asgjë me PD!”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje