Edhe dy ndeshje nga ky kampionat. Edhe 180 minuta ankth për Tiranën dhe Kastriotin, dy skuadrat që luftojnë për qëndrimin në Superiore. Ndeshja mes tyre, e luajtur të shtunën në stadiumin “Selman Stërmasi”, përfundoi në barazim dhe la gjithçka të hapur. Tirana humbi shansin e artë për të mbyllur llogaritë me rivalin direkt dhe tani presioni është shtuar në maksimum. Madje, skuadra kryeqytetase në pamje të parë duket më e rrezikuar se krutanët për rënien një kategori më poshtë. Pse? Është ndeshja e radhës në Laç që e bën gjithçka malore për skuadrën e trajnerit Ardian Mema.
Tirana, aktualisht 2 pikë para Kastriotit, luan në fushën e Laçit dhe në javën e fundit pret Flamurtarin. Krutanët presin Teutën në Fushë-Krujë dhe në javën e fundit luajnë me Kukësin në fushë asnjanëse. Parashikimi është vërtet mjaft i vështira, por ajo që kuptohet lehtë është se Tirana e ndeshjes së fundi jep pak shpresë për përballimin e presionit të madh. Trajneri Mema foli për aleanca pas barazimi 0-0 me krutanët, kurse presidenti Refik Halili deklaroi disa ditë më parë se arbitrat i kanë hequr 20 pikë Tiranës. Veprime që në fakt tregojnë qartë tensionin e madh, deklarata që e rritin më shumë atë dhe nuk e inkurajojnë ekipin, ashtu si dhe vendimi për të mos pasur tifozë në ndeshjen e fundit, pasi kishin frikë prej tyre. Gjithsesi, tani vëmendja është te dy ndeshjet e mbetura.

Janë disa kombinime rezultatesh, megjithatë dilema e skuadrës së dytë që bie nga Superiorja, mund të shuhet që këtë fundjavë, edhe pse jo 100%. Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, duke marrë në konsideratë faktin se Kastrioti është i papërballueshëm në “fortesën” e Fushë-Krujës dhe me “siguri” do të fitojë edhe me Teutën, Tiranës i duhet medoemos të marrë minimalisht një pikë në Laç. Nëse bardheblutë fitojnë, aq më mirë, por edhe barazimi e mban Tiranën para Kastriotit, falë bilancit në ndeshjet direkt dhe golaverazhit më të mirë. Në këtë rast, Tirana e ka vetë në dorë fatin e saj para ndeshjes me Flamurtari në javën e fundit.
Laçi luan për Ligën e Europës dhe ka nevojë për pikë, kështu që do të luftojë për fitore. Për më tepër, sherri mes presidentëve Laska dhe Halili në ndeshjen e fundit të luajtur mes Laçit dhe Tiranës, do të ketë ndikimin e vet në këtë 90-minutësh. Nëse Tirana humb dhe Kastrioti fiton me Teutën, krutanët dalin një pikë para dhe në javën e fundit të kampionatit peshorja e qëndrimit në elitë anon nga ata. Ky është varianti më i keq për Tiranën, sepse nuk e ka më në dorë fatin e saj. Edhe pse jo matematikisht, do të thoshte kapitullim për të dhe vetëm ndonjë “mrekulli” e Kukësit, kundërshtarit të fundit të krutanëve, mund ta shpëtonte. Nëse Tirana humb dhe Kastrioti humb ose barazon me Teutën, të favorizuar mbeten kryeqytetasit, të cilët në javën e fundit mjafton të fitojnë me Flamurtarin. Variantet e përmendur janë të gjithë të mundshëm dhe gjithçka varet nga fakti se cila skuadër do të shkojë në javën e fundit më lart në renditje.

Kastrioti ka avantazh anën psikologjike dhe në radhët e tij ka besim se pas ndeshjes me Teutën do ta parakalojë Tiranën në renditje. Jo më kot barazimi në “Selman Stërmasi” u festua si një fitore e madhe. Situatë e kundërt te Tirana, që ka humbur dy mundësi të mira në javët e fundit për të larguar fantazmat e rënies. Bardheblutë, së pari nuk ditën të përfitonin në derbin me Partizanin, që ishte shpallur kampion dhe që luante me mungesa. Nuk ditën as të fitonin në fushën e tyre në sfidën me rivalin direkt, duke e ngushtuar jo pak “lakun”. Dhe këtë “lak” e zgjidh vetëm një rezultat pozitiv në Laç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje