Futboll

Edhe Berisha në Ligën e Kampionëve, Gasperini e do sërish tek Atalanta

Sezonin e ardhshëm, të dy portierët e Kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha dhe Etrit Berisha, do t’i shohim në Ligën e Kampionëve me klubet e tyre. I sigurt është Strakosha, pasi Lacio, sido që të shkojë fundi i këtij kampionati, e ka prenotuar një vend në kompeticionin madhor të klubeve në Europë. Lacio mban vendin e dytë, por është në garë bindshëm edhe për titullin kampion në Itali.

Një vend në Ligën e Kampionëve, sipas të gjitha gjasave, do ta zërë edhe Atalanta e mbrojtësit kuqezi, Berat Gjimshiti. Por te kjo skuadër, aktualisht e katërta në renditje, mund të kthehet së shpejti edhe portieri Etrit Berisha, pjesë e Spalit që qëndron në fundin e renditjes. Portieri aktual i bergamaskëve, Golini, është një nga më të kërkuarit në treg, pasi ka spikatur kohët e fundit dhe klubet e mëdha janë vënë në garë për të. Trajneri Gasperini kërkon t’i paraprijë situatës dhe i parapëlqyeri i tij për zëvendësuesin e Golinit, sipas shtypit italian, është pikërisht Berisha.

Etrit Berisha, portieri kuqezi. Gazeta Si, 1 maj 2020

Do të ishte diçka fantastike që Berisha të kthehej në nivele të tilla të larta në rang klubesh. Ai e njeh mjaft mirë ambientin tek Atalanta, pasi ka luajtur disa sezone me këtë skuadër dhe jo më kot trajneri Gaspoerini e dëshiron rikthimin e tij. Berisha ka treguar një formë shumë të mirë këtë sezon, duke qenë ndër portierët me mesataren më të lartë të pritjeve, por skuadra nuk e ka ndihmuar dhe ndarja me Spalin në verë është e sigurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë