Vendim zyrtar nga qeveria nuk ka por një pjesë e shqiptarëve janë të detyruar të vaksinohen edhe pa pëlqimin e tyre pasi mund të humbasin vendin e punës. Megjithëse kemi pasur qasje politike për një vaksinim të detyrueshëm nga qeveria të shprehur përmes kryeministrit, për të paktën disa kategori, ende nuk ka një vendim zyrtar ndaj ky vakum ka nisur të mbushet individualisht nga bizneset.
G.M, një i ri i punësuar në një call center në Tiranë, kompani me numër të lartë punonjësish tregon për Gazetasi.al që vaksina u është vendosur si kusht apo detyrim vetëm punonjësve që janë të siguruar me kontratë pune, por jo atyre që e marrin rrogën në zarf, jo.
Gjithashtu, kompanitë e telekomunikacionit si ndër më të mëdhatë në vend, kanë kontaktuar me një e-mail të gjithë punonjësit duke u kërkuar të dhëna nëse janë vaksinuar dhe se “janë të lutur për të bërë vaksinën”, të ofruara nga kompania. Një nga punonjësit e këtyre kompanive thonë për Gazetasi.al se “akoma nuk na e kanë bërë me detyrim”.
Kryetari i Shoqatës se Fasonëve, Edvin Prenci, thotë për Gazetasi.al se në këtë sektor nuk është imponuar marrja e vaksinës nga drejtuesit, por 65% e punonjëssve janë vaksinuar me ndërgjegjen e tyre.
“Detyrimi do të krijojë një amulli dhe do të ndikonte negativisht edhe në numrin e punonjësve, gjë që është problem aktual i këtij sektori. Deri në këto momente nuk ka vaksinim të detyrueshëm, por nëse Komiteti Teknik merr një vendim të tillë në do e respektojmë edhe pse me diversitet mendimesh”, shprehet z.Prenci.
Më herët, Komiteti Teknik i Ekspertëve sugjeroi vaksinimin me detyrim të studentëve dhe pedagogëve, si kusht për kthimin në auditore. Deklarata e asaj e dite e kryeministrit Edi Rama për vaksinim me detyrim, shkaktoi jo pak reagime dhe protesta.
I pari institucion publik në vendin tonë që vendosi certifikatën e vaksinës anti-Covid si lejekalim për studentët dhe stafin ishte shkolla e Magjistraturës. Një vendim i marrë në mënyrë autonome nga ky institucion, pa vendim nga autoritetet shëndetësore. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, Magjistratura vendosi vaksinimin me detyrim.
Disa ditë më parë, burime të Gazetasi.al treguan se zyrat e burimeve njerëzore në shtet kanë nisur apelin për t’u informuar se kush nga punonjësit e ka marrë vaksinën dhe kush jo, hapi i parë ky drejt kalimit me gjasë në një hap të dytë për ta kthyer me detyrim vaksinimin për këtë kategori.
Ndërkohë Bashkia e Pukës u bë institucioni i parë që vendosi si kusht certifikatën e vaksinimit ose një test që dëshmon se je negativ nga Covid-19.
Mbrëmjen e 15 shtatorit, Teatri i Operas dhe Baletit mirëpriti Ermonela Jahon dhe Placido Domingon dhe të gjithë spektatorët duheshin me certifikatë vaksinimi ose me testin negativ 48-orësh.
Në një dalje publike gjatë javës së shkuar, Kryeministri Edi Rama nuk e mohoi vaksinimin me detyrim në të ardhmen për kategori të caktuara, pasi “aty ku janë mjedise publike që mblidhen shumë njerëz, ke detyrimin të vaksinohesh për të tjerët”, tha ai.
Shumë ekspertë në vendin tonë, edhe jashtë fushës së shëndetësisë, shprehen se në parim janë pro vaksinimit, por kundër detyrimit. Një ndër ta është edhe Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha. “Është e rëndësishme kryerja e vaksinës, por vaksinimi nuk ka pse të jetë i detyrueshëm”, tha Hoxha në një ceremoni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje