Politike

Edmond Spaho rreshtohet me Berishën: Nuk mund të kthehemi në pushtet me kryetar pa ushtar

Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike (deri në muajin Korrik), Edmond Spaho ka vendosur të rreshtohet krah Sali Berishës.

Pa i përmendur emrin, por duke iu referuar takimeve të tij si “Foltorja” , Spaho nënvizon se hapja e partisë, kolegjialiteti në vendimmarrje dhe dëgjimi i anëtarësisë janë rruga për të dalë nga kriza.

Duke e njohur strukturën së brendshmi dhe mënyrën se si funksionon, Spaho thotë se nuk mund të ketë kryetar pa ushtar dhe se  PD më shumë se gjithçka, ka nevojë për lidership.

“Lidershipi duhet t’i dalë për zot sfidave, të mbrojë vendimet që merr dhe të jetë në krye të anëtarësisë për t’i çuar ata në fitore.

PD duhet të përmirësojë thellësisht organizimin e saj. Ne nuk mund të kthehemi në pushtet me degë pa kryetarë, me kryetarë pa ushtarë apo me ushtarë të lënë të demoralizuar, të braktisur apo të vetmuar nga humbja e 25 Prillit.

Strukturat e PD nuk mund t’i thërrasim vetëm për zgjedhje të përgjithshme, vendore apo partiake…”, shkruan ai.

Spaho vëren se,  “PD është në gjendje kritike pas zgjedhjeve të 25 Prillit dhe zhvillimeve të mëvonshme”.

“Bunkerizimi i partisë është sëmundja më e rëndë që na ka zënë dhe për këtë fajtore jemi të gjithë, ne qe kemi drejtuar edhe më shumë.

Hapja e partisë, debati midis nesh, kolegjialiteti në vendimmarrje dhe veçanërisht dëgjimi i anëtarësisë janë rruga e vetme për të dalë nga kriza dhe shpëtuar PD.

Janë këto arsyet që më shtyjnë të mbështes dhe marr pjesë në “Foltoren” e organizuar në qytete të ndryshme të vendit.

Unë “Foltoren” nuk e përkrah për emocion, por për idetë, frymën e lirisë që shpërndan dhe kohezionin. PD është aset i çmuar, që më së pari i përket demokratëve të çdo niveli, të cilët duhet të ndihen të përfaqësuar”.

Sipas tij, në PD po ndodh avazi i vjetër.

“Kemi nevojë për një platformë të mirëmenduar se si do ta mundim Edi Ramën në zgjedhje. Platforma nuk imponohet, ajo diskutohet me ata që do e zbatojnë dhe më pas miratohet në organet drejtuese të PD. E njëjta gjë vlen dhe duhet zbatuar edhe për reformat që synohet të ndërmerren”.

Spaho nënvizon gjithashtu se PD-ja ka nevojë të rikonceptojë marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

“Për këtë duhet të pranojmë gabimet që kemi bërë vitet e fundit. Miqësia me ta nuk mund të jetë konjukturale apo e interesave të çastit”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë