Ne rrjet

Ekonomia ruse drejt kolapsit dhe mitet që na bënë të besojmë të kundërtën

Pesë muaj pas pushtimit rus të Ukrainës, është e habitshme pse shumë politikëbërës dhe analistë perëndimorë e kanë të vështirë të kuptojnë dimensionet ekonomike që ka pushtimi i presidentit rus Vladimir Putin, dhe çfarë domethënie ka ai për pozicionimin ekonomik të Rusisë si brenda po ashtu edhe në nivel global.

Shumë prej tyre i kanë cilësuar si joefektive apo edhe zhgënjyese. Në fakt sanksionet ndërkombëtare dhe largimi i kompanive të huaja perëndimore ka pasur një efekt shkatërrues mbi ekonominë e Rusisë. Shumica e analizave dhe parashikimeve kanë një të metë metodologjike thelbësore: ato bazohen kryesisht tek të dhënat periodike ekonomike që ofron vetë qeveria ruse.

Shifrat që publikon Kremlini janë konsideruar prej kohësh si kryesisht të besueshme. Por këtu ka disa probleme. Mbi të gjitha, publikimet ekonomike të Kremlinit po bëhen gjithnjë e më të përzgjedhura, ato janë të pjesshme dhe jo të plota, duke fshirë të dhënat negative.

Ne jemi në gjendje të sfidojmë 9 mite shumë të përhapura por edhe të rreme rreth qëndrueshmërisë së supozuar ekonomike të Rusisë.

Miti nr.1: Rusia mund t’i ri-drejtojë eksportet e saj të gazit në Azi në vend të Europës

Kjo është një nga blofet kryesore që luan Putin. Por për Rusinë, gazi natyror nuk është një eksport i këmbyeshëm. Më pak se 10 për qind e kapacitetit të gazit të Rusisë është gaz natyror i lëngshëm, ndaj eksportet e gazit rus mbeten të varura nga një sistem tubacionesh fikse që transportojnë gazin e saj.

Shumica e këtyre linjave shkojnë drejt Europës, dhe nuk mund të lidhen me një rrjet të veçantë të sapo-krijuar tubacionesh që e lidhin Siberinë Lindore me Azinë. 16.5 miliardë metra kub gaz të eksportuar nga Rusia në Kinë vitin e kaluar, përfaqësonte më pak se 10 për qind e 170 miliardë metra kub gaz natyror të dërguar nga Rusia në Europë.

Projektet e reja në lindje janë aktualisht në ndërtim dhe do të duan vite që të futen në punë. Për më tepër financimi i këtyre projekteve të kushtueshme e vendos Rusinë në një disavantazh të madh. Në përgjithësi, Rusia ka nevojë për tregjet botërore shumë më tepër se sa ka bota nevojë për furnizime ruse.

Miti nr. 2: Meqenëse nafta është më e shkëmbyeshme se sa gazi, Putin mund të shesë më shumë naftë në Azi   

Duke qenë të vetëdijshëm se kanë më shumë opsione blerjeje sesa Rusia, Kina dhe India po e blejnë naftën ruse me një ulje të paprecedentë, rreth 35 dollarë për fuçi. Për më tepër, cisternave ruse të naftës u duhen mesatarisht 35 ditë për të shkuar në Azinë Lindore, përkundrejt 2-7 ditë për të arritur në Europë. Kjo është arsyeja pse historikisht vetëm 39 për qind e naftës ruse ka shkuar në Azi kundrejt 53 për qind të destinuar për në Europë.

Miti nr.3: Rusia po i kompenson bizneset dhe importet e humbura perëndimore me importe nga Azia

Importet luajnë një rol të rëndësishëm brenda ekonomisë ruse. Ato përbëjnë rreth 20 për qind të PBB-së ruse, dhe pavarësisht iluzioneve të Putinit për vetë-mjaftueshmërinë totale, vendi ka nevojë për inpute, pjesë dhe teknologji thelbësore nga partnerët tregtarë hezitues. Pavarësisht disa rrjedhjeve të vazhdueshme të zinxhirit të furnizimit, importet ruse kanë rënë me mbi 50 për qind muajt e fundit.

Kina nuk është zhvendosur në tregun rus, për shkak të frikës nga sanksionet e SHBA. Kina eksporton 7 herë më shumë në Shtetet e Bashkuara se sa në Rusi, ndaj kompanitë kineze janë më të shqetësuara se mos humbin qasjen në tregun amerikan se atë rus.

Miti nr.4: Konsumi i brendshëm rus dhe shëndeti i konsumatorëve mbeten të fortë

Disa nga sektorët më të varur nga zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar, janë goditur nga një inflacion galopant në nivelin 40-60 për qind. Ndërkohë shitjet e makinave të huaja në Rusi ranë mesatarisht me 95 për qind, ndërsa ato vendase kanë ndalur plotësisht shitjet.

Miti nr.5: Bizneset globale nuk janë tërhequr vërtet nga Rusia, dhe raportet mbi ikjen e biznesit, kapitalit dhe të talentuarve janë të ekzagjeruara

Kompanitë e huaja globale përfaqësojnë rreth 12 për qind të fuqisë punëtore të Rusisë (5 milionë punëtorë). Si rezultat i tërheqjes së tyre, mbi 1000 kompani që përfaqësojnë rreth 40 për qind të PBB-së së Rusisë i kanë kufizuar operacionet në vend. Ndërkohë 500.000 rusë të arsimuar dhe profesionistë në shumë fusha janë larguar tashmë nga vendi.

Miti nr.6: Rusia ka aktualisht suficit buxhetor për shkak të çmimeve të larta të energjisë

Rusia është duke shkuar drejt një deficiti të barabartë me 2 për qind të PBB-së. Kjo sipas Ministrit rus të financave. Dhe kjo për shkak të shpenzimeve të mëdha të Putinit në ushtri. Për më tepër ai po ushtron presion për një ndërhyrje fiskale dhe monetare të rrezikshme, pasojat negative të së cilës nuk do të vonojnë të shfaqen.

Miti nr.7: Putini ka qindra miliarda dollarë fonde për ditë të vështira, ndaj financat e Kremlinit nuk ka gjasa të shterojnë së shpejti

Sfida më e dukshme me të cilën përballen fondet rezervë të Putinit, buron nga fati se nga rreth 600 miliardë dollarë rezerva valutore, të akumuluara nga të ardhurat e dikurshme të naftës dhe gazit, 300 miliardë dollarë janë të ngrira dhe të paarritshme në Perëndim.

Madje ka pasur thirrje që ato të sekuestrohen për të financuar rindërtimin e Ukrainës. Edhe rezervat valutore të mbetura po zvogëlohen me një ritëm alarmues, me rreth 75 miliardë dollarë që nga fillimi i luftës.

Miti nr 8: Rubla është monedha me performancën më të fortë në botë këtë vit

Kufizimet e vendosura nga qeveria pengojnë çdo rus që të blejë dollarë me rublën apo të ketë qasje tek depozitat e tij bankare në dollarë. Por kursi zyrtar i këmbimit të rublës është gjithsesi mashtrues, pasi ajo po shkëmbehet në vëllime shumë më të reduktuara në krahasim me periudhën e para luftës kur kishe një nivel të ulët të likuiditetit.

Sipas shumë raporteve, pjesa më e madhe e këtij shkëmbimi është zhvendosur në tregun e zi. Edhe vetë Banka e Rusisë e ka pranuar se kursi i këmbimit është më shumë një reflektim i politikave të qeverisë sesa e tregjeve valutore që veprojnë në lirshmëri të plotë.

Miti nr.9: Zbatimi i sanksioneve dhe largimi i kompanive të huaja i kanë dhënë efektet e tyre, tani nuk ka më nevojë për presion ekonomik 

Ekonomia ruse është dëmtuar rëndë, por largimi i biznesit të huaj dhe sanksionet ndaj Rusisë janë ende të paplota. Edhe me reduktimin e eksporteve, Rusia vazhdon të fitojë më shumë të ardhura nga nafta dhe gazi, gjë që garanton mbështetjen e shpenzimeve të brendshme të Putinit dhe lënë hije dobësitë strukturore ekonomike. Shkolla e Ekonomisë e Kievit dhe Grupi Ndërkombëtar i Punës Yermak-McFaul kanë propozuar vendosjen e sanksioneve shtesë./ Burimi: Foreign Policy


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë