Nga Xhuliana Toci- Bashkimi Europian do të mbajë javën e ardhshme një samit me liderët e Ballkanit Perëndimor. Burime nga Ministria e Jashtme thonë për Gazetën Si se kryeministri Edi Rama dhe homologët e tij në rajon janë ftuar nga Komisioni Europian në një darkë pune në Bruksel për të diskutuar mbi perspektivën e anëtarësimit por edhe situatën politike në rajon.
Në këtë samit është ftuar edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili do të ketë edhe përballjen e parë me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, sepse pas disa takimeve të veçanta me presidenten Ursula Von der Leyen dhe përfaqësuesin e Lartë të BE-së Joseph Borrell, liderët e rajonit pritet të mblidhen në një takim të përbashkët me udhëheqësit europianë. I pranishëm në samit pritet të jetë edhe komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi.
Takimi mësohet se është propozuar nga Borrell pas një diskutimi të gjatë të ministrave të jashtëm të BE mbi marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor. Borrell doli me një deklaratë, duke thënë se vendet anëtare duhet ta kenë të qartë se “Ballkani Perëndimor është një problem i madh gjeopolitik”. Ai u shpreh përpara ministrave se Bashkimi Europian nuk duhet të presë për dy vjet të tjerë për ta vendosur Ballkanin Perëndimor në krye të rendit të ditës. “Ne nuk duhet të presim as dy muaj për t’i kushtuar vëmendje Ballkanit Perëndimor”, tha Borrell.
Takimi vjen pasi Ballkani Perëndimor ishte tema qendrore në agjendën e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së për herë të parë pas dy vitesh. Ministrat e jashtëm vendosën të kenë një qasje më aktive me rajonin. Po ashtu, në qershor liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në një tjetër samit, kësaj radhe me liderët e Bashkimit Europian.
“Pjesa më e madhe e vendeve anëtare ranë dakord për nevojën që të përshpejtojë reformat e pranimit në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor “, tha Borrell në një konferencë shtypi pas takimit.
‘Përballje” mes Ramës dhe Zaev
Për kryeministrin Rama dhe atë të Maqedonisë së Verut, takimi vjen pas një sërë reagimesh dhe tensionesh pas propozimit të Varhelyi për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. I alarmuar nga kjo mundësi, Zaev udhëtoi të hënën drejt Brukselit, ku kujtoi se vendi i tij kishte pritur Shqipërinë derisa të merrte dritën jeshile nga Holanda dhe Franca.
Zaev kërkoi që konferenca e parë e parë ndërqeveritare mos të mbahej me Shqipërinë derisa Maqedonia e Veriut të zgjidhte mosmarrëveshjet me Bullgarinë, duke thënë se ndarja e dy vendeve do të ishte një rrezik për mbarë Ballkanin.
Kryeministri Edi Rama nuk ka komentuar deri më tani këtë propozim, por kjo cështje ka të ngjarë të jetë një nga diskutimet qendrore në Bruksel.
Borrell tha se Brukseli po punon për të çuar përpara procesin e pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe se deri më tani nuk ka qëllim për shkëputjen e dy vendeve.

“Kushtet janë përmbushur nga Maqedonia e Veriut. Shtetet anëtare shpresojnë që Konferenca e parë Ndërqeveritare (ICG) të mund të zhvillohet së shpejti, pas miratimit të Kornizës Negociuese nga Këshilli. Në po punojmë që konferenca të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi Borrell.
Shqipëria mund të jetë një muaj larg nisjes zyrtare të negociatave me Bashkimin Europian. Komisioni Europian pritet të japë dritën jeshile për mbajtjen e konferencës së parë ndër-qeveritare me Shqipërinë në qershor, por nuk ka konfirmuar ende nëse do të mbahet edhe me Maqedoninë e Veriut.
Gjermania ka qënë e para që ka këmbëngulur që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mos ndahen nga rruga e përbashkët drejt integrimit europian dhe ka kërkuar që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet me të dyja vendet brenda muajit qershorit. Megjithatë, pas vizitës së Zaev në Bruksel , në mbështetje të Shkupit erdhi edhe Austria, Kroacia dhe një sërë zyrtarësh të lartë europianë.
Përballja Vuçiç-Kurti
Edhe pse është munduar ta shmangë deri më tani, nëse pranon ftesën, kryeministri Albin Kurti do të përballet për herë të parë me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Kurti ndodhej në një vizitë në Bruksel disa javë më parë, ku Borrell u mundua të negocionte një takim mes tij dhe presidentit serb me 11 maj. Por në një lëvizje surprizë, kreu i qeverisë së Kosovës hodhi poshtë ftesën, duke kapur të papërgatitur Përfaqësuesin e Jashtëm të unionit, i cili njoftoi paraprakisht takimin.
Ai deklaroi para mediave në Bruksel se nuk do të marrë pjesë në takimin me presidentin Aleksandër Vuçiç për të shënuar nisjen zyrtare të dialogut Kosovë-Serbi.
“Unë nuk mund të marr pjesë në takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen”, ka thënë Kurti.
BE pritet të nxisë Serbinë dhe Kosovën të shpejtojnë përpjekjet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mbi normalizimin e marrëdhënieve me arsyetimet se dy qeveritë kanë “mandate të qëndrueshme politike nga elektorati i tyre”.
Por analistët shprehen të bindur se dialogu mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç nuk do të nisë së shpejti, pasi sipas tyre, kreu i qeverisë së Kosovës do ta shtyjë me sa të mundet.
Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës është i bindur se Albin Kurti është duke manovruar për të shmangur dialogun me Serbinë. Ai thotë se kryeministri synon ta zvarrisë dialogun deri pas zgjedhjeve lokale në Kosovë, që priten të mbahen në vjeshtë të këtij viti, në mënyrë që ta konfirmojë fuqinë e tij politike dhe rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Paçarizi thekson se Kurti ka nisur një betejë inteligjente, në mënyrë që të zbërthejë dialogun, duke e shndërruar atë nga temat politike në çështje më teknike. Megjithatë, siç thotë ai, bashkësia ndërkombëtare duket se e ka lexuar këtë manovër të Kurtit, duke i bërë thirrje të ulet sa më parë në bisedime.

“Zoti Kurti ka bërë një përparim, nëse mund ta quajmë kështu, duke i zbutur kushtet e tij për dialogun – nga kërkimi i faljes në pranim të krimeve të kryera në Kosovë e çështje të tjera, mirëpo këto janë manovrime, me të cilat zoti Kurti mundtë fitojë paksa kohë”, shprehet eksperti.
Diskutimet për kufijtë
Një tjetër temë qendrore e këtij samiti pritet të jenë edhe raportet për ndryshimin e kufijve që kanë pushtuar prej disa javësh Ballkanin Perëndimor. Në rajon, por edhe në Bruksel ka patur një sërë reagimesh, me një sërë zyrtarësh europiane që kanë hedhur poshtë këto propozime, por kjo nuk ka ulur tensionet në rajon.
Takimi vjen pasi rajoni dhe BE-ja u përballën me një stuhi politike pas publikimit të një sërë dokumentesh fantazmë që propozojnë ndryshime kufijsh në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Shumë ekspertë thonë se janë të shqetësuar nga përgjigjja e dobët e Brukselit.
Gjatë javëve të fundit nga mediat në Ballkan janë publikuar dy dokumente, njëra nga mediat sllovene në të cilën propozohej ndarja e Bosnjës dhe bashkimi Shqipëri-Kosovëdhe tjetri nga gazeta “Koha Ditore” në Prishtinë, për të cilin është thënë të jetë hartuar nga Gjermania dhe Franca, duke kërkuar krijimin e një Republike Srpska në Veri të Kosovës
Përpara takimit të ministrave të punëve të jashtme të së hënës, Borrell theksoi në një postim “situatën veçanërisht të vështirë në Bosnjë dhe Hercegovinë”, për shkak të diskutimeve për ndryshimin e kufijve. Borrell shkroi se ai u kishte dërguar “një mesazh të qartë” udhëheqësve të Bosnje dhe Herzegovinës gjatë një takimi të fundit me presidencën e vendit për “të ndaluar përdorimin e retorikës përçarëse nacionaliste dhe në vend të kësaj të përqendroheshin në përparimin e reformave”.
“Një thirrje për rishikimin e kufijve në rajon dhe ndarjen e Bosnjës dhe Hercegovinës ka rritur retorikën përçarëse” tha ai duke iu referuar dokumenteve që propozonin ndryshimin e kufijve.
Kryediplomati i BE deklaroi se ai kishte pasur “një telefonatë të vështirë” me anëtarët e Presidencës boshnjake dhe tha se u përsëriti se pozicioni i BE nuk ka ndryshuar dhe se “do të mbështeste integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje Hercegovinës dhe e ardhmja e saj qëndron brenda BE si një vend i bashkuar dhe sovran ”.
Në këtë dokument thuhej se Kosova e Serbia duhet të pajtohen që të themelohet një i ashtuquajtur “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, me kompetenca vetëqeverisëse. Ai do të përfshinte komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje