Nga Xhuliana Toci –Zyrtarët dhe politikanët shqiptarë që mund të shpallen “Non grata” nga SHBA në të ardhmen, në baze të dekretit të ri të presidentit Joe Biden, duket se nuk do të sanksionohen nga Bashkimi Europian.
Në një përgjigje për Gazetasi.al, zëdhënësi i Komisionit Europian, Peter Stano thotë se vendosja e sanksioneve ndaj zyrtarëve apo grupeve të caktuara nga SHBA është çështje që i përket autoriteteve amerikane, duke nënkuptuar se nuk do të ndikojë në marrëdhëniet e këtyre figurave me unionin europian.
“BE përmbahet nga komentimi mbi vendimin e SHBA për të zgjeruar sanksioneve në Ballkanin Perëndimor. Kjo është çështje e autoriteteve amerikane. Masat e SHBA-së zbatohen kundër personave dhe entiteteve të caktuara në marrëdhëniet e tyre me SHBA-së”, thekson Zëdhënësi i Komisionit Europain.
Stano i thotë Gazetasi.al se për Bashkimin Europian është e rëndësishme që Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të ndërmarrin dhe zbatojnë reforma e kërkura për integrimin europian dhe jo vetëm.
LEXO EDHE:
– “Lista e Zezë” e Biden synon ata që punojnë kundër integrimit në BE
– Përse Biden po u tregon vendin politikanëve që destabilizojnë Ballkanin
– SHBA ndjek tjetër standard për Shqipërinë dhe tjetër standard për Serbinë
– Shqipëria futet në listë, Biden bllokon pasurinë për zyrtarët që cenojnë stabilitetin në Ballkan
– Tre arsye pse urdhri i Joe Biden duket si i kopsitur posaçërisht për Shqipërinë
“Është thelbësore për qeveritë dhe autoritetet në rajon të mbajnë Ballkanin Perëndimor në rrugën drejt BE-së dhe të ndjekin procesin e reformave në fushat e shtetit të së drejtës, anti-korrupsionit dhe krimit të organizuar”, përfundon Stano.
Qendrimi i unionit u bë i qartë që javën e kaluar, kur Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joseph Biden prezantoi Urdhrin e ri Ekzekutiv që i mundësonte qeverisë Amerikane të bllokonte pasurinë dhe të pezullojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
Vendimi përfshinte për herë për të parë edhe Shqipërinë dhe përcaktonte mes të tjerash se personat që minojnë proceset demokratike dhe përfshihen në afera korruptive do të përfshiheshin në Listën e Zezë Amerikane. Urdhri i ri ekzekutiv paralajmëron mundësinë për ndryshime shumë të nevojshme. Por sinjalet e hershme sugjerojnë se SHBA dhe BE nuk duken të jenë në të njëjtën faqe në lidhje me qasjen më të ashpër të presidentit Biden ndaj Ballkanit. Në reagimin e tij të parë, Komisioni Europian tha se BE-ja ka detyrimet e saj ndaj partnerëve në rajon dhe se sanksionet nuk janë pjesë e politikave aktuale evropiane në Ballkanin Perëndimor.
“Angazhimi ynë në rajon është shumë i fortë. Bisedimet rreth sanksioneve të mundshme nuk janë në rendin e ditës. Çdo vendim mbi këtë duhet të merret unanimisht nga të gjitha vendet anëtare. Për momentin, kjo nuk po diskutohet kur bëhet fjalë për partnerët në Ballkanin Perëndimor”, tha Stano disa ditë më parë.
Duke komentuar Urdhrin e ri Ekzekutiv, Sekretari i Shtetit Anthony Blinken theksoi se SHBA është e përkushtuara për të vënë përpara përgjegjësisë dhe për të luftuar mos ndëshkueshmin e atyre që përfshihen në afera korruptive të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë botën.

“Korrupsioni kudo dëmton drejtpërdrejt politikën e jashtme, sigurinë kombëtare dhe shëndetin ekonomik të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve dhe aleatëve tanë”, shpjegoi ai.
Srđan Cvijić, analist në Fondacionin e Shoqërisë së Hapur në Bruksel thekson se sipas tij korrupsioni u bë pjesë e këtij dokumenti pasi ekzistenca brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor shihet si kërcënim për integrimin e plotë të rajonit në institucionet transatlantike.
“Ashtu si Urdhrat Ekzekutivë të mëparshëm që i referoheshin ish-Jugosllavisë, qëllimi i urdhrit të ri është të sanksionojë individë që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit “, shprehet Cvijić . Kjo lëvizje duket të jetë një vazhdim i përpjekjeve të SHBA për të sjellë ndryshime të fuqishme në rajon që nga ardhja e administratës së re.
Biden kërkon të përshpejtojë integrimin e rajonit
Analistët parashikojnë që Ballkani dhe lufta më e ashpër ndaj korrupsionit në rajon të jetë pjesë e bisedimeve ndërkohë që Biden takon aleatët e NATO-s dhe partnerët e Bashkimit Europian në Bruksel. Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare Iveta Cherneva thotë se Biden është i bindur se Ballkani ka ngecur në të njëjtën vorbull korrupsioni dhe tensionesh si para dy dekadash, duke penguar integrimin në Bashkimin Europian. Sipas saj dekreti i ri për Ballkanin Perëndimor nuk ka të bëjë ende me ndjekjen e kriminelëve të luftës që përpiqen t’i shpëtojnë ligjit, të paktën jo 30 vjet pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe 30 vjet pas luftërave të përgjakshme.
“Në vend të kësaj, SHBA po e bën të qartë se kërkon integrimin dhe pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE me çdo kusht. Dekreti i Biden ishte një paralajmërim për të gjithë ata që ngadalësojnë reformat” thekson ekspertja. Ai erdhi pas vendimit të qeverisë amerikane për të sanksionuar oligarkët e mëdhenj mbi korrupsionin në Bullgari. Duke bërë publikë emrat e atyrë që do të hynin në Listën e Zezë, SHBA argumentoi mes të tjerash se kundërshtimi i pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE në bazë të Marrëveshjes së Prespës dhe korrupsioni mund të bëhen shpejt një kërcënim për paqen dhe stabilitetin.
Ajo që tregoi përfshirja e Bullgarisë në këtë strategji duke e kërcënuar me të tjera sanksioneve është se SHBA do të përpiqet të imponojë agjendën e saj mbi integrimin dhe pranimin me çdo kusht të unionit në BE.
Por sipas Chernevas, Administrata e Biden të përballet ashpër me forcat kundër zgjerimit dhe vetë BE-në e cila këmbëngul prej kohësh se procesi i pranimit në BE të jetë një çështje për të cilën vendosin vetëm anëtarëve të BE-së.
“Kur bëhet fjalë për negociatat e pranimit në BE, është e rëndësishme të mbajmë mend se de facto janë vendet anëtare të BE ato që vendosin. Nëse Biden do që integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE gjatë mandatit të tij do të jetë një nga pikat kryesore të trashëgimisë së tij historike, ai duhet të duhet të ri mendojë strategjinë e tij. Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor ka mbetur në vend prej 20 vitesh dhe do të duhet më shumë se një listë e zeze kundër atyre që punojnë kundër tij, për ta përshpejtuar”, thekson ekspertja.
Megjithatë, Cvijić beson nga ana tjetër se ky dekret është vetëm një paralajmërim dhe se udhëheqësit aktualë të Ballkanit Perëndimor nuk do të preken drejtpërdrejt nga ky legjislacion.
“Ky urdhër ekzekutiv ka për qëllim kryesisht një parandalues, duke paralajmëruar aktorët politikë në rajon nga veprimet që pengojnë integrimin e rajoni. Unë personalisht nuk mendoj se disa nga njerëzit e fortë në rajon do të preken drejtpërdrejt nga këto sanksione, megjithëse nuk do ta përjashtoja nëse veprimet e tyre shkojnë qartë dhe drejtpërdrejt kundër interesave të integrimit Euro-Atlantik të rajonit ” , përfundon ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje