Futboll

Eksperiencë për Pirlon, Ozil dhe Lorente dy emrat e nxehtë të merkatos

Për Andrea Prilon është përvoja e parë si trajner dhe në krye të Juventusit ai ka përjetuar emocione të forta, siç janë ato të fitores në “Camp Nou” apo në Parma, por edhe zhgënjime, siç janë ndeshjet ndaj Krotones, Beneventos dhe Fiorentinës. Juventusi është në ndërtim e sipër dhe drejtuesit e klubit po punojnë për merkaton e janarit, mbi të gjitha për një lojtar me peshë në sulm.

Nën urdhrat e Pirlos janë shumë lojtarë anësorë sulmi, që veprojnë nga larg zonës, por jo një qendërsulmues që të jetë në gjendje të mbushë zonën e rreptësisë dhe të lërë ndonjë ndeshje pushim Alvaro Moratën. Një nga emrat më të nxehtë, sipas “Tuttosport”, është Fernando Lorente, i cili pritet të largohet nga Napoli. Nuk është një tratativë e lehtë, aq më tepër duke ditur përplasjet e fundit mes dy klubeve. Nëse marrëveshja do të finalizohet, me siguri do të duhen pak javë.

Fernando Lorente, kur luante me Juventusin. Gazeta Si, 27 dhjetor 2020

Paratiçi po sheh edhe një mundësi tjetër, një afrim me nivel. Është një bast në fakt, por që duke shpenzuar pak mund të afrohet një lojtar me shumë kualitet si Mesut Ozil. Si tip lojtari nuk është se i mungon Pirlos, por gjermani është jashtë planeve të Arsenalit dhe këtë sezon nuk ka zbritur kurrë në fushë, ndërsa kontrata i skadon në qershor të 2021-shit dhe mund të largohet pa shumë probleme nga Londra.

Arsenali do të lirohej nga paga e lartë e Ozilit dhe do të lejonte largimin e tij që në janar, ndaj dhe Juventusi po joshet nga kjo pistë. Ozil ka luajtur me Kristiano Ronaldon te Reali dhe me shifrat e duhura mund të ishte një goditje e madhe, sigurisht, nëse rikthehet ai lojtari i kohëve të arta. Me kualitetin dhe përvojën ndërkombëtare që ka, gjermani mund të ishte shumë i vlefshëm për bardhezinjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë