Ne rrjet

Ekspertët e Kosovës: Nga Mini-Shengeni përfiton Serbia, por mos kemi frikë nga konkurrenca

Një vit më parë, kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt Novi Sadit, për të diskutuar rreth Shengenit Ballkanik me presidentin Aleksandër Vuçiç. Kjo nismë  kundërshtohej sidomos nga Kosova, e cila ishte e bindur në atë kohë se iniciativa do t’i jepte mundësi Serbisë të formonte Mini-Shengenin e shteteve Jugosllave. Edhe pse ka kaluar një vit, dhe Kosova u bë pjesë e kësaj nisme rajonale me ndërmjetësimin e vetë presidentit Donald Trump, shumë ekspertë në Kosovë janë të të njëjtit mendim, duke u druajtur se Serbia do të jetë përfituesi i vetëm i kësaj iniciative.

Drejtori i Odës ekonomike amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë për mediat në Prishtinë se përfshirja amerikane në promovimin e zonës së veçantë ekonomike ka shtyrë autoritetet e Kosovës që të përfshihen në Mini Shengen, por se shumë politikanë vazhdojnë të jenë kundër saj.

Si shumë ekspertë në Prishtinë, ai thonë se Serbia do t’i marrë përfitimet kryesore, pasi Kosova nuk është ndër vendet konkurruese të rajonit, por se edhe Prishtina do të  ketë përfitimet e saja.

“Mini Shengeni është edhe një mundësi që të eliminohen të gjitha barrierat teknike edhe barrierat tjera që vijnë edhe mospajtimet politike ndërmjet shteteve sidomos në raport me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, shtete që nuk e njohin fare Republikën e Kosovës. Pra një bashkëpunim i një forme të re pashmangshëm do ta vendosë edhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve në një dimension të ri”, tha zoti Zeka.

Arbresha Loxha, eksperte nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se Mini-Schengeni nuk duhet të shihet si zëvendësim për Bashkimin Europian.

“Në parim Mini-Schengeni e favorizon Serbinë si tregun më të madh të rajonit, dhe i jep asaj benefitin e të qenit shtet kyç në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në rajon. Për më tepër, një projekt i tillë të jep përshtypjen e zëvendësimit të rrugës europiane të reformave me projekte rajonale, që zakonisht i bëjnë liderët për interesat e tyre të ngushta politike”, shprehet ajo

Për ekspertin, Safet Gërxhaliu, pavarësisht hezitimit, skena politike e Kosovës ka pranuar të bashkohet më këtë nisme, edhe nga garancia e Shteteve të Bashkuara për mbështetje financiare e cila sipas tij rrit përfitimet e të gjitha palëve.

“Ju po shihni do të investohet në infrastrukturë, do të investohet në Shqipëri, në Serbi, në Kosovë, do të investohet me siguri edhe në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Bosnje dhe e tëra i jep kjo një dimension të ri dhe një kuptim të ri këtij termi prandaj nuk duhet të kemi frikë, por të përgatitemi për sfidat të cilat do të ballafaqohemi të ardhmen”, shprehet Gërxhaliu për mediat në Prishtinë.

Por kritikët e marrëveshjes e Mini Shengenit kanë ngritur shqetësime për pabarazinë ekonomike me të cilën përballet Kosova përballë vendeve të rajonit. Ata thonë se Kosova do të humbë më shumë pasi që prodhimi zë një përqindje të vogël të ekonomisë së Kosovës, ndërkohë që fqinj i saj Serbia, ka fuqinë më të madhe prodhuese të rajonit.

I të njëjtit mendim është edhe eksperti shqiptar Gent Beqiri, i cili deklaron se Shqipëria duhet të punojë më shumë në drejtim të thithjes së investimeve të huaja, pasi ka mbetur shumë prapa Serbisë.

“Në këtë moment, një interes më të madh mund ta ketë, ndoshta Serbia me të gjitha vendet, por këtu kemi një kombinim të aspektit politik, atij tregtar dhe të një mundësie të oportuniteteve dhe si të thuash ne duhet të luajmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Të jemi shumë të qartë që vende si Serbia dhe Mali i Zi janë shumë më përpara në aspektin e paketave stimuluese për investimet e huaja. Dhe për çështje të taksave apo të bërit biznes, ato ja në më përpara. Tregu i tyre është më i madh dhe sa i përket krahut të punës, por edhe potencialit”, u shpreh Beqiri në një prononcim për mediat.

Për gazetën europiane “Euracitv”, ka qënë e qartë që në fillim se nga Mini Shengeni përfituesi më i madh është Serbia. “Si një shtet pa dalje në det më pak se 7 milion njerëz (Jugosllavia ishte 23 milion) Serbia duhet ta projektojë vetën në një kornizë më të madhe. Mini Shengeni ka potencialin për të përfshirë 12 milionë. Shqipëria nuk ishte kurrë pjesë e Jugosllavisë, por Beogradi vendosi ta përfshinte në këtë iniciativë pasi i siguron Serbisë dalje në Adriatik dhe në sytë e Serbisë Mini Shengeni është me të vërtetë një poshtërim politik dhe gjeopolitik për Kosovën”’, shkruante gazeta disa muaj më parë.

Megjithatë, pavarësisht rrezikut, për ekonomistët, përfshirja SHBA është një garanci se çdo vend do të dalë i fituar.

“Ne kemi një mundësi unike që të mbështesim tashmë ndërmarrjet edhe prodhuese që të fuqizojnë kapacitetet e tyre, është një pikë e rëndësishme brenda marrëveshjes të Uashingtonit që parashikon që dy institucione financiare të SHBA-ve të ofrojnë mes tjerash financim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat mund të shfrytëzohen para se Kosova të bëhet palë e një marrëveshje të tillë”, thotë Gerxhaliu.

“Në fund të fundit ne nuk duhet të kemi frikë nga konkurrenca sepse duhet të rrisim kapacitetet tona, paramendoni në qoftë se në vitin 1958 kur është nënshkruar Traktati i Romës vendet evropiane nuk kishin dëshiruar të jenë pjesë e Bashkimit Evropian sepse Gjermania ka qenë një ekonomi e fuqishme dhe sot është një super fuqi botërore.

Zeka thotë se fuqia industriale e shteteve të Ballkanit Perëndimor është joproporcionale, prandaj shteti duhet të përqendrohet tek subvencionimi i ndërmarrjeve prodhuese.

“Nuk duhen përsëritur gabimet e kaluara dhe të bëhemi pjesë e një marrëveshje të tregtisë së lirë pa adresuar nevojat dhe kufizimet e ndërmarrjeve prodhuese”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë