Politike

Ekstradimet, Qeveria propozon zbehje të rolit të kryeprokurorit dhe konceptin e ndarjes së pasurisë së konfiskuar

Komisioni i Ligjeve ka nisur shqyrtimin e propozimit të Ministrisë së Drejtësisë për të ndëhyrë në ligjin e ekstradimeve me objektiv lehtësimin e procedurave dhe zbatimit në praktikë të këtij ligji.

Por, gjatë diskutimeve, relatorja Vasilika Hysi ngriti dyshimet se projektligji në fjalë mund të binte ndesh me Kodin e Procedurës Penale, sidomos sa i takon rolit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të drejtuesit të SPAK.

“Prokurori i Përgjithshëm është personi përgjegjës që përfaqëson në Prokurorinë në marrëdhënie me të tretën dhe ndihmën e ndërsjellë. Drejtuesi i SPAK përfaqëson këtë institucion. ai është i pavarur”, tha Hysi.

Deputetja socialiste kërkoi që të saktësohej formulimi i nenit 5 të projektligjit, ku thuhet se “Ministria e Drejtësisë e përcjell kërkesën e huaj pasi vlerëson kushtet e përcaktuara në këtë ligj dhe Kodin e Procedurës Penale. Kërkesa e huaj i përcillet drejtpërdrejt ose nëpërmjet prokurorit të Përgjithshëm, prokurorisë kompetente me juridiksion të përgjithshëm ose, kur është rasti, prokurorit të Prokurorisë së Posaçme”.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë thanë se projektligji është në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe nuk e anashkalon rolin e Prokurorit të Përgjithshëm në këtë proces dhe ndryshimi bëhet për efekt të përshpejtimi procedurash, edhe si një kërkesë e MONEYVAL, që e ka i ka cilësuar këto procedura si tepër burokratike.

Ndryshimi tjetër që propozohet është futja e konceptit të ndarjes së pasurisë së konfiskuar nga një gjykatë e huaj kur personi dënuar e ka atë në Shqipëri. Deri më tani, ligji ekzistues nuk e njihte këtë pjesë dhe pasuria e konfiskuar, ose i transferohej vendit kërkues, ose qëndronte në Shqipëri.

“Dorëzimi ose ndarja e pasurisë së konfiskuar kryhet nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe për dorëzimin e pasurisë së konfiskuar mes shtetit kërkues dhe shtetit të kërkuar, në zbatim të vendimit të gjykatës së huaj, të njohur dhe të ekzekutueshëm sipas legjislacionit në fuqi për njohjen e vendimeve penale të huaja”, thuhet në projektligj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë