Politike

Ekstremistët në PE: Jo negociata me Shqipërinë pa zgjidhur detin dhe ligjin e luftës me Greqinë

Ekstremistët në Parlamentin Europian kërkojnë që konferenca e parë ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian të mos zhvillohet pa u zgjidhur më parë çështja e kufirit detar me Greqinë.

Eurodeputetja ekstremiste franceze, Dominique Bilde thotë se BE duhet të presë vendimin e gjykatave ndërkombëtare mbi këtë çështje, nisur nga njoftimi i dy vendeve për ta adresuar këtë problem në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Bilde i rikthehet një deklarate të 2018-ës të Jean-Claude Juncker, në atë kohë President i Komisionit, që deklaronte se asnjë vend i ri nuk do të anëtarësohet nëse nuk ka zgjidhur çështjet e kufijve me fqinjët.

“Çështja e kufirit detar është burim tensioni mes dy vendev, siç u provua gjatë protestave të tetorit të organizuara nga PDIU dhe Vetëvendosje gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias në Tiranë”, thotë Bilde.

Bilde vlerëson si paradoks idenë e hapjes së negociatave për Shqipërinë, në një kohë që një shtet anëtar i BE-së formalisht është në gjendje lufte me të, duke iu referuar kështu Greqisë.

“Si mund ta justifikojë Komisioni hapjen e negociatave me Shqipërinë, në një kohë që ka një gjendje lufte formale mes këtij vendi dhe Greqisë, që prej vitit 1940?!”, deklaron ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë