Ambasadori shqiptar në Britaninë e Madhe, Qirjako Qirko bën thirrje për t’i dhënë fund “fushatës së diskriminimit” ndaj shtetasve shqiptarë që jetojnë në Britaninë e Madhe – duke u thënë deputetëve britanikë se fëmijët “janë viktima të bullizmit në shkollat e tyre” për shkak të kombësisë.
Këtë qëndrim Qirko e mbajti të mërkurën para Komisionit të Punëve të Brendshme. Sipas medieve britanike Qirko paralajmëroi deputetët për “përforcimin e stereotipeve negative” që lidhen me Shqipërinë.
“Do të doja të përfitoj nga rasti për të kërkuar që kjo fushatë diskriminimi ndaj qytetarëve shqiptarë që jetojnë këtu në Britani të Madhe duhet të ndalet”, i tha ai komitetit.

“Sidomos në pjesë të mediave që përfshihen në këtë valë aktiviteti kundër njerëzve të mi që jetojnë këtu”.
Më tej Qirko ka deklaruar se “kjo lloj fushate duhet të ndalet sa më shpejt sepse ka njerëz sidomos të rinj që bullizohen në shkollat e tyre vetëm pse janë shqiptarë”.
Ambasadori Qirko gjithashtu tha se jo të gjithë shqiptarët që kalojnë kanalin janë viktima të skllavërisë moderne. Megjithatë ai shtoi se shumë po mashtrohen po mashtrohen nga reklamat e mediave sociale, sidomos në Tik Tok, duke menduar se mund të fillojnë biznese në MB pasi të kenë mbërritur ilegalisht.
I pyetur nëse shqiptarët kishin mbërritur ilegalisht në Britaninë e Madhe për arsye ekonomike, Qirko tha: “Kam qenë në kontakt me disa njerëz që kërkojnë shërbimet e ambasadës sonë. Dhe disa prej tyre shpjeguan se po, ne jemi viktima të TikTok dhe Facebook, ne kemi ardhur këtu sepse menduam se ishte e lehtë të fillonim një biznes”.
Qirko u tha deputetëve se mes mbi njëqind mijë shqiptarëve që jetojnë në Britaninë e Madhe ka mjekë, avokatë dhe inxhinierë. “Përforcimi i stereotipeve negative për një kohë të gjatë nxit vetëm diskriminimin dhe racizmin,” – shtoi ai.
Komentet e tij vijnë pasi Sekretarja e Brendshme Suella Braverman muajin e kaluar iu referua “kriminelëve shqiptarë” në Parlament. Ajo gjithashtu i përshkroi azilkërkuesit që hyjnë në MB si një “pushtim”.
Komentet e Braverman bënë që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të akuzonte ministren për përdorimin e fjalëve “thjesht ksenofobike”.
Rama akuzoi Sekretaren e Brendshme për “diskriminim” ndaj shqiptarëve dhe e kritikoi atë për përdorimin e “retorikës së lehtë” të synimit të njerëzve nga populli i tij për “politikat e dështuara” të qeverisë.
Javën e kaluar, kryeministri Risi Sunak zhvilloi bisedimet e tij të para me kryeministrin Edi Rama, në të cilat ata ranë dakord të mbyllnin “boshllëqet” që parandalonin kthimin e shpejtë të azilkërkuesve të dështuar.
Sipas shifrave të Home Office (ministrisë britniake), 35% e 44,000 njerëzve që kanë kaluar Kanalin me varka të vogla këtë vit janë shtetas shqiptarë, ku shumë prej tyre kanë paraqitur kërkesa për azil, pasi janë në Britaninë e Madhe.
Londra pretendon se nuk ka asnjë ngjarje të qartë të vetme që të ketë çuar në rritjen e të ardhurve nga Shqipëria, megjithatë varfëria krahasuese për shkak të pandemisë Covid dhe tërmetit të vitit 2019 janë përmendur si shkaqe të mundshme. Ekziston gjithashtu shqetësimi se rritja po nxitet nga bandat kriminale që lehtësojnë kontrabandën e njerëzve dhe kryejnë trafikimin e njerëzve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje