Ka ndodhur

Emigrantët kthehen në atdhe për Pashkët, fluks lëvizjesh në pikën e Kapshticës

Gazeta Si – Në prag të festës së Pashkëve Ortodoske (të dielën 16 prill), në pikat e kalimit kufitar me Greqinë ka pasur një fuks të shtuar emigrantësh që janë futur në Shqipëri.

Burimet zyrtare bëjnë të ditur se nga pika e kalimit në Kapshticë gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë dhe kanë dalë më shumë se 8 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Fluksi më i lartë ka qenë në hyrje të territorit shqiptar, me 5.612 qytetarë. Por lëvizje të shtuara gjatë orëve të fundit ka pasur edhe në drejtim të vendit fqinj me 3.257 qytetarë.

Për të përballuar fluksin në rritje të lëvizjeve ndërkufitare, policia shqiptare ka shtuar numrin e sporteleve, duke hapur 3 të tillë në dalje dhe 4 në hyrje. Ndërkohë nga pala greke ashtu si dje po punohet me 4 sportele.

Në 3 ditët e fundit kanë hyrë nga Greqia në drejtim të vendit tonë më shumë se 16 mijë qytetarë dhe kanë dalë afër 7 mijë.

Nga ana tjetër në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut kanë hyrë dhe dalë më shumë se 4. 500 shtetas.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë