Futboll

Emisarët e Çelsit ndjekin Kumbullën ndaj Lacios, garë e fortë për shqiptarin

Në tribunën qendrore të stadiumit “Olimpico”, ku Lacio luante dje në mbrëmje me Veronën, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Çelsit. Klubi i njohur anglez ka vënë në shënjestër mbrojtësin shqiptar të Veronës, Marash Kumbullën, i kërkuar edhe nga disa klube të mëdha në Itali dhe Angli. Çelsi i shtohet garës për futbollistin 19-vjeçar që në sezonin e parë në Serinë A ka treguar një nivel të lartë. Shtypi sportiv britanik bën me dije se kjo nuk është hera e parë që emisarët e Çelsit ndjekin nga afër Kumbullën.

Po ashtu, në artikujt e merkatos të shtypit anglez evidentohet fakti se ka një konkurrencë të fortë mes Mançester Junajtid dhe Çelsit për Kumbullën. Napoli, Interi dhe Juventusi janë klubet italiane që kanë në planet e tyre futbollistin e ri shkodran dhe deri në verë mund të shtohet edhe ndonjë klub tjetër i madh. Napoli i ka bërë një ofertë konkrete Veronës, nga ku mori edhe Rrahmanin, por vetë Kumbulla nuk e pëlqen këtë pistë dhe sipas zërave nga Italia, ai ka dëshirë t’i bashkohet Interit.

Kumbulla në dyluftim me Kaisedon gjatë ndeshjes Lacio-Verona. Gazeta Si, 6 shkurt 2020

Por tani, me futjen në garë edhe të dy “bigëve” anglezë, situata mund të ndryshojë, sepse rrjedhimisht kërkesat financiare të Veronës për mbrojtësin shqiptar do të rriten. Forma shumë e mirë e Kumbullës në një moshë kaq të re ka bërë shumë drejtues klubesh të shohin tek ai liderin e sa ardhmes sa i takon lojës në mbrojtje. Dhe ky sigurisht që është një lajm i mirë për Kombëtaren shqiptare, pasi ka në gjirin e saj një nga të rinjtë më të mirë të momentit.

Kumbulla bëri një paraqitje të mirë edhe ndaj Lacios, ku Verona barazoi 0-0. Janë dy transferta radhazi të kaluara me sukses nga Verona, 1-1 me Milanin dhe 0-0 me Lacion, ku pa dyshim roli i mbrojtjes ka qenë shumë i rëndësishëm. Në ndeshjen e fundit, paraqitjen më të mirë nga tre shqiptarët që ishin në fushë (Kumbulla, Rrahmani, Strakosha), e bëri portieri i Lacios. Strakosha ishte vendimtar me disa pritje dhe u vlerësua me notën 7.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë