Ne prezantimin e programit për energjinë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha premtoi ulje të faturës së energjisë elektrike për ata që konsumojnë deri në 300 kv/orë në muaj, do të zhdukë nga qarkullimi gjeneratorët, angazhohet për bashkimin e tregjeve të energjisë me Kosovën, si dhe do të heqë taksën “Rama” prej 240 lekë për litër karburanti.
“ Ne do të rrisim sigurinë e furnizimit me energji në vend, përmes investimeve në burime energjie të gjelbra e të pastra: Shqipëria do të përfitojë nga pozicioni i saj i shkëlqyer gjeografik, duke u kthyer në një qendër për furnizimin e mbarë Ballkanit, po edhe më përtej, me gaz natyror, i cili është më i pastër, më i pakushtueshëm dhe do të forcojë ekonominë tonë.
Ne do të nxisim fuqishëm prodhimin e energjisë nga burime të gjelbërta dhe të pastra me fokus energjinë hidrike dhe atë të erës. Do të nxisim ndërtimin e kapaciteteve të reja të mëdha si energji të pastër në bazë, ndërsa rezervat hidrike të KESH do t`i përdorim për energjinë e balancimit apo energjinë në pik.
Ne do të zhdukim monopolet dominuese në tregun hidrokarbur, si dhe do të forcojmë luftën ndaj evazionit fiskal e do të mundësojmë dyfishimin e investimeve private në sektorin e naftës, i cili vitet e fundit po vuan rënien e ndjeshme të këtyre investimeve për kërkim-zbulim-prodhimin e naftës.
Kontrolli i rreptë i cilësisë së karburanteve do të jetë një tjetër prioritet absolut dhe angazhim i qeverisë tonë. Cilësia e karburantit për përdorim industrial apo familjar do të arrijë standardin europian brenda 180 ditëve të para të qeverisjes sonë. Ky është angazhimi që marrim përpara jush sot”, tha Basha.
Basha premtoi negociata edhe me shoqatat e minatorëve, dhe garantoi zgjidhjen e problemeve të përmbytjeve të qyteteve dhe rehabilitimit të të gjitha dëmeve të tërmetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje