Në Kuvend po luhet këtë të mërkurë epilogu i sagës dyvjeçare të përpjekjeve të socialistëve për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, me dy komisione hetimore parlamentare të ngritura përgjatë kësaj periudhe dhe dy raporte, ku i pari propozoi vërejtje ndaj Presidentit, ndërsa i dyti shkarkimin e tij.
Kjo është hera e parë në 30 vite tranzicion që ndërmerret një hap i tillë dhe gjasat janë që të finalizohet me votën pro të shkarkimit të Metës të të paktën 94 deputetëve në Parlament, nisur nga fakti që komisioni hetimor i ngritur për këtë qëllim u miratua me 98 vota pro.
Kuvendi u thirr me të vetmin rend dite, që është ai i shqyrtimit dhe diskutimit të raportit të komisionit hetimor. Seanca nisi me paraqitjen e raportit nga ana e kreut të komisionit hetimor, Alket Hyseni.
“Komisioni u bazua në faktet dhe rrethanat që u vlerësuan gjatë shqyrtimit të procesit të hetimor. Referuar doktrinës kushtetues, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, vendimeve të Komisionit të Venecias e të tjera dhe ka rezultuar se Presidenti i Republikës ka bërë një sërë shkeljesh. Ai ka cenuar të drejtat e njeriut dhe funksionimin e shtetit. Raporti shtjellohet në 98 faqe dhe 3 anekse”, deklaroi Hyseni.
Senca vijoi më pas me diskutimet nga deputetët, ku Edmond Stojku dhe Halit Valteri nga e ashtuquajtura opozitë parlamentare deklaruan votën pro shkarkimit. Votën kundër e ka deklaruar deputeti Lefter Maliqi, që në zgjedhjet e 25 prillit kandidoi nën siglën e LSI-së në Qarkun e Beratit. Maliqi e cilësoi seancë turpi dhe qesharake nga një parlament i kapur.
Sipas rregullores, çdo deputet ka 20 minuta kohë dhe nisur nga tema e nxehtë për të cilën diskutohet, seanca parashikohet të jetë maratonë. Vetë kryeministrin Edi Rama, nisja e seancës e gjeti në një vizitë zyrtare në Bullgari, por gazetasi.al mëson se kreu i Qeverisë do të kthehet në Tiranë para se të votohet në Kuvend për shkarkimin ose jo të Metës.
Në rast shkarkimi, raporti bashkë me votën pro të mbi 94 deputetëve i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese, që duhet të thotë fjalën e fundit brenda një periudhe të arsyeshme kohore, që nuk parashikohet të shkojë përtej muajit shtator, atëherë kur nis punën edhe Kuvendi dhe Qeveria e re.
Ilir Meta u zgjodh President para zgjedhjeve parlamentare të 2017-s, ndërsa detyrën e mori zyrtarisht në muajin korrik të po atij viti. Mandati i rregullt i përfundon në korrik të 2022.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje