Gazeta Si – Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili e ka propozuar veten si ndërmjetës në krizën ukrainase, akuzon vendet perëndimore se po i “përkeqësojnë gjërat” midis Moskës dhe Kievit.
“Unë e them këtë hapur, për fat të keq perëndimorët nuk kanë ndihmuar deri më tani për të zgjidhur konfliktin. Ata vetëm i kanë përkeqësuar gjërat”, tha presidenti turk për CNN lokal, gjatë fluturimit të kthimit nga Kievi.
Ndërkohë që diskutimet për krizën Ukrainë – Rusi janë ngritur në nivelin më të lartë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është duke qëndruar në Kinë, ku ka marrë përkrahje nga udhëheqësit e këtij shteti.
Ndërkohë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron do të udhëtojë në Moskë dhe Kiev javën e ardhshme në përpjekje të ndërmjetësimit në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, njoftuan autoritetet franceze.
Macron së pari do të takojë presidentin rus, Vladimir Putin të hënën dhe të nesërmen pritet të takohet me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Presidenti francez, kohët e fundit ka biseduar disa herë në telefon me të dy liderët. Kancelari gjerman Olaf Scholz gjithashtu planifikon të udhëtojë në Moskë “së shpejti”.
Një takim mes Macron, Scholz dhe presidentit polak Andzrej Duda është planifikuar gjithashtu në Berlin. Si Gjermania, ashtu edhe Franca kanë ndërmjetësuar në konfliktin e Ukrainës prej vitesh.
Duke pasur parasysh vendosjen e më shumë se 100,000 ushtarëve rusë në zonën kufitare me Ukrainën, ekziston frika se Kremlini po planifikon një pushtim të Ukrainës. Moska e mohon këtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje