Bota

Erdogan i kërkon Papa Françeskut të ndihmojë palestinezët

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i kërkoi Papa Françeskut të ndihmojë në mobilizimin e botës për të miratuar sanksione kundër Izraelit për “masakrën” e tij ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës. Turqia ka shtuar angazhimin diplomatik për situatën në Gaza dhe telefonata midis Erdoganit dhe Papa Françeskut u zhvillua në këtë vijë. Erdogan i tha Papa Françeskut se “palestinezët do të vazhdojnë t’i nënshtrohen një masakre nëse bashkësia ndërkombëtare nuk e dënon Izraelin me sanksione”, tha presidenca turke.

Sipas Turqisë, mesazhet e Papës janë të një rëndësie të veçantë për të “mobilizuar botën e krishterë dhe bashkësinë ndërkombëtare”

Të dielën, Papa Françesku, tha se humbja e jetëve të pafajshme në Gaza ishte “e tmerrshme dhe e papranueshme”. Erdogan, i cili ka mbështetur çështjen palestineze gjatë qeverisjes së tij 18-vjeçare, ka folur vazhdimisht kundër veprimeve të Izraelit.

Ai i tha Papës se “i gjithë njerëzimi duhet të jetë i bashkuar kundër” Izraelit. Në përpjekje për të marrë mbështetje ndërkombëtare për sanksione të mundshme ndaj Izraelit, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu bisedoi me homologun e tij britanik, Dominic Raab.

Cavusoglu i tha Raabit se është “thelbësore që bashkësia ndërkombëtare të bëj një reagim të fortë” ndaj agresionit të Izraelit, tha një burim i ministrisë së jashtme turke.

Izraeli ka vazhduar edhe të hënën në mëngjes fushatën e sulmeve ajrore në qytetin e Gazës, pavarësisht thirrjeve për t’i dhënë fund luftës. Aeroplanët luftarakë izraelitë ndërmorrën 80 sulme ajrore në disa zona të qytetit të Gazës, menjëherë pasi militantët e Hamasit hapën një breshëri raketash në Izraelin jugor.

Përmes një deklarate, Forca e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) tha se “avionët luftarakë po godasin objektivat e terroristëve në Rripin e Gazës”. Ushtria tha se ka shkatërruar 15 kilometra tunele të militantëve si dhe shtëpitë e nëntë komandantëve të pretenduar të Hamasit. Zyrtarët palestinezë në Gaza thonë se e diela ishte dita më vdekjeprurëse që nga fillimi i luftimeve me Izraelin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë