Bota

Erdogan rrit tensionet Turqi-Greqi: Për mua Mitsotakis nuk ekziston më!

Gazeta Si – Tensionet mes Turqisë dhe Greqisë janë rritur pas deklaratave të ashpra të presidentit Rexhep Taip Erdogan për t’i dhënë fund lidhjeve me Athinën zyrtare.

“Për mua, Mitsotakis nuk ekziston”, tha Erdogan, duke sqaruar se nuk ka në plan të takohet sërish me kryeministrin grek.

“Nuk pranoj ta takoj, sepse ne po ecim përpara me politikanë me personalitet dhe dinjitet që e mbajnë fjalën”, shtoi ai.

Ai akuzoi  Mitsotakisin se po përpiqet të bllokojë shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Turqi gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara.

“Ne kishim rënë dakord që të mos përfshinim vendet e treta në mosmarrëveshjen tonë me të. Pavarësisht kësaj, javën e kaluar, ai pati një vizitë në SHBA dhe foli në Kongres dhe i paralajmëroi ata të mos na jepnin avionët  F-16“, u shpreh Erdogan.

Por kësaj deklarate i është përgjigjur edhe pala greke. “Politika e jashtme greke bazohet fort në histori, të drejtën ndërkombëtare dhe aleancat tona, sado që i shqetëson disa. Ne nuk do të përballemi me deklarata me lidershipin turk. Politika jonë është një politikë parimesh”, tha një zëdhënës i qeverisë.

Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u takua me presidentin amerikan Joe Biden dhe zyrtarë të lartë amerikanë javën e kaluar, kryeministri grek bëri të ditur se Athina zyrtare do të nisë procedurat për blerjen e avionëve luftarakë F-35 nga Uashingtoni deri në vitin 2030.

Pikërisht prania e armatimeve ushtarake nga Greqia është dhe shkaku kryesor i zemërimit të Erdoganit ndaj fqinjit të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë