Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Francës kanë hyrë në një fazë të re përkeqësimi. Parisi tërhoqi ambasadorin nga Ankaraja pas një komenti të pazakontë të Presidentit turk, Recep Taip Erdogan që shënjestroi personalisht homologun e tij francez.
“Çfarë mund të themi ne për një kryetar shteti që trajton miliona qytetarë të tij të një besimi tjetër në këtë mënyrë? Së pari duhet të kryejë një kontroll të shëndetit mendor. Cili është problemi i individit të quajtur Macron me islamin dhe me myslimanët? Macron ka nevojë për trajtim mjekësor mendor”, deklaroi Erdogan gjatë një deklarate televizive nga qyteti i Kajserit.
Reagimi francez ishte i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë.
“Komentet e Presidentit Erdogan janë të papranueshme. Mospërmbajtja dhe pakujdesia s’mund të jetë një mënyrë komunikimi mes dy vendeve. I kërkojmë Erdogan që të ndryshojë kursin e politikave dhe qëndrimeeve të tij pasi janë të rrezikshme në çdo drejtim”, tha në një deklaratë për AFP një zyrtar i Elizesës.
Por jo vetëm kaq. Presidenca franceze tha se ka tërhequr ambasadorin për konsultime dhe një vendim për tërheqjen përfundimtare të tij dhe uljen e nivelit të përfaqësimit diplomatik nuk përjashtohet gjatë javës që vjen.
Ambasadori do të takohet me Presidentin francez për të diskutuar për situatën pas komenteve të Erdogan, ndërsa në mediat franceze parashikohet skenari i tërheqjes së tij dhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike të plota vetëm pas marrjes së një ndjese publike nga ana e vetë Erdogan.
Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Francës janë përkeqësuar muajt e fundit, sidomos pas daljes hapur në krah të Greqisë nga ana e Parisit që dërgoi në Mesdheun Lindor luftëanije për stërvitje të përbashkët me flotën greke në ujërat territoriale që pretendohen edhe nga Ankaraja. Stërvitja u interpretua si formë presioni ndaj Turqisë për t’u tërhequr nga kërkimet për naftë dhe gaz në ujërat përtej ishullit grek Kastelorizo.
Një tjetër përplasje ndërkombëtare e dy vendeve po luhet prej muajsh në konfliktin civil në Libi dhe po ashtu edhe në konfliktin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë për rajonin e Nagorno-Karabakhut. Në të dyja rastet vendet janë rreshtuar përballë njëra-tjetrës.
Por, kulmi i tensioneve mbërriti pas vrasjes së një mësuesi francez, që u kishte treguar nxënësve karikatura të Profetit Muhamed nga një ekstremist islamik. Duke dënuar sulmin në fjalë, Macron e përshkroi islamin si “një besim në krizë” dhe se Franca do të amendojë në dhjetor një ligj të vitit 1905, që në atë kohë ndante kishën nga shteti. Ai tha se amendimi synon përforcimin e këtij ligji duke përfshirë edhe besimet e tjera fetare, që duhet të qëndrojnë larg institucioneve shtetërore, përfshirë këtu edhe shkollat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje