Futboll

Ervin Skela emërohet trajner moshash tek Eintrahti i Frankfurtit

Ervin Skela, ish-mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, do të marrë një detyrë të rëndësishme në ish-klubin e tij në Gjermani, Eintraht Frankfurt. Vlonjatit i është propozuar nga drejtuesit e klubit të marrë drejtimin e ekipit të 17-vjeçarëve, një detyrë që Skela e ka pranuar menjëherë.

Eintrahti ndjek një politikë të tillë, që ekipet e moshave ua beson ish-lojtarëve të tij, duke i vlerësuar për kontributin e dhënë me fanellën kuqezi dhe duke u dhënë një mundësi të rriten profesionalisht në fushën e trajningut. Kjo politika është ndjekur që kur drejtimin e klubit e ka marrë ish-lojtari i njohur gjerman, Adreas Mëler. Tomas Broish dhe Zherom Polenz janë prezantuar si trajnerë të ekipit U-15. Ervin Skela pritet të nënshkruajë këtë javë kontratën si trajner i ekipit U-17.

Skela, kur luante me Eintraht Frankfurt. Gazeta Si, 15 prill 2020

“Kam ende për të mësuar”, – ka thënë Skela për faqen e klubit. Vlonjati 43-vjeçar e ka marrë licencën e trajnerit në Shqipërinë, por ajo njihet edhe në Gjermani. Ervin Skela është një emër i njohur në Gjermani, ku ka luajtur 168 ndeshje në Bundesligë dhe 145 ndeshje në Bundesligën 2. Ai numëron 93 ndeshje me fanellën e Eintrahtit, ku tani e tutje do të japë kontribut si trajner te moshat. Skela vjen nga përvoja me ekipin U-17 të Hesen Dreieish.

Skela bën pjesë në atë grup ish-lojtarësh që ishin ambasadorë të Eintraht Frankfurt. Përveç tij, në këtë grup janë edhe Uli Stein, Uve Bein, Dragosllav Stepanoviç, Jyrgen Grabovski, Bernd Holzenbein dhe Roni Borshers. Një vlerësim ky për ish-futbollistin kuqezi, i cili ka përpara një rrugë të gjatë dhe me përvojën e fituar në Gjermani në të ardhmen mund t’i shërbejë edhe Kombëtares.

Skela, duke stërvitur një ekip fëmijësh. Gazeta Si, 15 prill 2020

Shtohet kështu një tjetër emër në listën e trajnerëve shqiptarë që drejtojnë në klube të huaja, ekipet e para apo sistemin e moshave. Përveç Ervin Skelës, të tjerë ish-lojtarë të Kombëtares që po drejtojnë me sukses jashtë Shqipërisë janë Besnik Hasi (ish-trajner i Anderlehtit, Legias dhe Olimpiakosit), Bledar Kola (trajner moshash tek AEK-u, ndihmëstrajner tek Apoel Nikosia) dhe Arjan Peço (trajner moshash te Bazeli). Të gjithë këta emra, një ditë mund të kenë në dorë Kombëtaren kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë