Në homazhet që janë zhvilluar sot në nderim të Mid’hat Frashërit, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, kanë marrë pjesë personalitete dhe politikanë, por edhe qytetarë të shumtë.
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryedemokrati Lulzim Basha kanë hyrë njëri-pas tjetrit në këtë ceremoni.
Berisha u shpreh se sot kombi shqiptar përulet me nderimin më të madh para pasardhësit të frashërllinjve, i cili i dha gjithçka kishte Shqipërisë, pavarësisht se historia nuk ishte e drejtë me të.
“Sot Kombi shqiptar përulet me nderimin më të madh para pasardhësit të frashërllinjve të pavdekshëm dhe para njërit prej personaliteteve më të shquar të botës shqiptare dhe të mendimit politik e shkencor. Ky burrë i madh i dha Shqipërisë gjithçka kishte më të shtrenjtë dhe bashkëkryesoi Kongresin e alfabetit dhe vuri firmën për Shpalljen e Pavarësisë. Një studiues dhe kolos i letrave. Ishte themelues i nacionalizmit qytetar shqiptar dhe promotor i luftës së shqiptarëve për liri. Historia nuk ka qenë e drejtë për Mid’hat Frashërin, por ai sot vjen dhe pushon në atdheun e tij. Ata që urdhëruan eliminimin e tij fizik përfundojnë në koshin e plehrave, e kam fjalën për Enver Hoxhën”, tha Berisha.
Po ashtu edhe kryedemokrati Basha vlerësoi figurën e Frashërit dhe u shpreh se qeveria në këtë rast nuk bëri asgjë përveçse detyrën.
“Kënaqësi që eshtrat e këtij burri të rrallë vijnë në Shqipëri. Ky burrë i jashtëzakonshëm është shembull që duhet të ndiqet nga shumë të tjerë. Atyre që dhanë për mëmëdheun gjithçka, duhet t’u jepet vendi që u takon. Qeveria s’ka bërë asgjë më shumë sesa detyrimin për të nderuar këtë patriot të madh”, u shpreh Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje