Bota

Eurodeputeti neonazist: I dënuar në Greqi me burg, por në Bruksel “bën” ligjet

Në Parlamentin Europian, fundi i nëntorit ishte një periudhë rutinë e punës, ku eurodeputetët po diskutonin tensionet në rritje mes Bashkimit Europian dhe Turqisë, kur papritur Presidenti i PE-së i dha fjalën eurodeputetit grek, Janis Lagos.

Lagos iu vërsul Turqisë, një prej shënjestrave të tij të preferuara. Në të shkuarën ishte penalizuar nga drejtuesit e PE-së pas grisjes demostrative të një flamuri turk në seancat parlamentare duke ulëritur në mes të sallës, deri kur iu fik mikrofoni.

Pavarësisht se Parlamenti Europian është i familjarizuar me fjalimet që nxisin urrejtje, Lagos nuk është si gjithë të tjerët. Ai është edhe zyrtarisht një kriminel i dënuar nga drejtësia greke, pasi u shpall fajtor në muajin tetor, duke u dënuar me 13 vite burg për rolin në ngritjen dhe drejtimin e Agimit të Artë, që gjykatat e shpallën organizatë kriminale.

Megjithatë, deri më tani Lagos nuk i ka provuar prangat në duart e tij. Ai jeton i qetë në Bruksel dhe i mbrojtur nga ekstradimi për shkak të imunitetit që i jep posti i deputetit në Parlamentin Europian. Greqia i ka kërkuar këtij të fundit që t’i heqë imunitetit, në mënyrë që autoritetet belge ta arrestojnë dhe ekstradojnë në drejtim të Athinës për të vuajtur dënimin e marrë. Por, procesi ka ngecur mes burokracive politike dhe shtyrjeve të njëpasnjëshme për shkak të pandemisë.

Në tetor, udhëheqësit kryesorë të Agimit të Artë u shpallën fajtorë për ngritjen, organizimin dhe drejtimin e një organizate kriminale, me aktivitet shkatërrimin e pronës private, publike, kanosjes së qytetarëve dhe sulmit ndaj organizatave të majta dhe emigrantëve. Në total u dënuan 68 anëtarë të neonazistëve grekë.

Lagos ishte njëri prej tyre. Ai e ka apeluar vendimin dhe përmes një mesazhi në postën elektronike i thotë “The New York Times” se imuniteti i tij si eurodeputet nuk duhet t’i hiqet përsa kohë procesi është në vazhdim, që mund të kërkojë vite kohë.

Eurodeputeti ekstremist grek pretendon se gjyqi ndaj tij ishte një turp dhe shembull i perskutimit politik. Ai thotë se është në bisedime me një vend anëtar të BE-së që është i gatshëm që t’i sigurojë azilin politik. Lagos nuk e përmend emrin e vendit anëtar të unionit që mund t’i sigurojë mbrojtje nga drejtësia, por dyshimet janë se mund të bëhet fjalë për Hungarinë.

Burimi: The New York Time. Përshtati në shqip: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë