Një pjesë e mirë e vendeve europiane, si Italia, Gjermania, Austria, Franca apo Greqia duket se do ta presin 2021-in në izolim, pasi autoritetet kanë zgjatur masat kufizuese deri në janar.
Në fillim të muajit, shumë qeveri evropiane dukeshin të gatshme për zbutjen e masave kundër koronavirusit për periudhën e Krishtlindjes, përkundër paralajmërimeve të shkencëtarëve dhe mjekëve. Qeveritë u vunë nën presion në rritje nga publiku, i cili kërkonte lehtësimin e masave për të shpëtuar frymën e festës. Kjo i vuri qeveritë në pozitë se kur duhej të vendosnin se sa larg do të shkonin në lehtësimin e masave, por duke u frikëzuar se një festë e gëzuar Krishtlindjeje do të thotë të vuash vitin tjetër. Tani, shumica po shkojnë në drejtim të kundërt, duke shtrënguar masat.
Greqia ishte e para që njoftoi se ka vendosur të qendrojë në izolim përgjatë Krishtilindjeve dhe festave të fund vitit, pavarësisht presionit në rritje nga qytetarët për lirimin e masave kufizuese. Shkollat, restorantet, baret, fushat dhe aktivitetet sportive do të qëndrojnë të mbyllura deri më 7 janar, me përjashtim të bizneseve thelbësore.
Zëdhënësi i qeverisë Stelios Petsas njoftoi një javë më parë se presioni mbi sistemin shëndetësor kombëtar është i madh dhe se njësitë intensive janë ende plot. “Për këtë qëllim, masat kufizuese shtrihen deri më 7 dhjetor dhe si pasojë shkollat, restorantet, gjykatat dhe aktivitetet sportive do të mbesin të mbyllura”, tha ai.
Sipas zëdhënësit të qeverisë, kufizimet në udhëtimet dhe tubimet si dhe udhëtimet nga rajoni në rajon do të zgjaten deri vitin e ardhshëm. Zëdhënësi i qeverisë greke theksoi se ulja e të infektuarve është më e ngadaltë se sa pritej “për shkak të lodhjes së qytetarëve pas dhjetë muajsh luftw me armikun e padukshëm dhe tinëzar”.
Ai shtoi se sipas të dhënave të fundit, ekziston një një rënie e lehtë në mesataren e rasteve por numri pacientëve në gjendje të rëndë nuk është ulur.
“Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të shpëtuar jetë” tha Stelios Petsas.
Qytetarët do të vazhdojnë të dërgojnë një mesazh për të dalë jashtë shtëpisë. Po ashtu qytetarët e kanë të ndaluar të marrin pjesë në mbledhje familjare me nëntë njerëz.
I pyetur nëse ora e natës do të zbatohej veçanërisht për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, zëdhënësi i qeverisë tha se ishte diçka që ne do ta shqyrtonim në ditët në vijim.
Ndërkohë, të dielën kancelarja gjermane Angela Merkel ka dhënë urdhër për mbylljen e vendit gjatë Krishtlindjes mes një shtimi alarmues të rasteve të koronavirusit në vend.

Sipas masave të reja të emergjencës që do fillojnë nga 16 dhjetori deri me 10 janar, të gjitha shkollat dhe dyqanet jo-të domosdoshme në mbarë Gjermaninë duhet të mbyllen, po ashtu edhe baret dhe restorantet do të qëndrojnë të mbyllura.
Në përpjekje për të parandaluar turmat në ambjente të jashtme gjatë periudhës në fjalë, po ashtu është ndaluar edhe shitja e fishekzjarreve dhe pirja e alkoolit në publik. I vetmi lehtësim është se deri në 10 njerëz do të lejohen të mblidhen për festimet e Krishtlindjes brenda një shtëpie ndërsa aktualisht lejohen vetëm 5 njerëz nga dy familje të ndryshme.
Kremtimet fetare në kisha, xhami dhe sinagoga mund të lejohen nëse ndiqen rregullat e rrepta të higjenës, por këngët në kor ose në grup nuk lejohen.
“Do të kisha dëshiruar për masa më të lehta. Por si rezultat i blerjeve për Krishtlindje, numri i takimeve fizike është rritur ndjeshtëm,”tha zonja Merkel për gazetarët në Berlin pas takimit dhe udhëheqësit federalë dhe të shteteve.“Është një nevojë urgjente për vepruar,” shtoi ajo. Shkalla e infeksionit në Gjermani ka arritur nivele rekord gjatë ditëve të fundit dhe ky vend tani renditet i 12-ti në botë për nga numri i rasteve.
Në Itali, Kryeministri Giuseppe Conte, i cili u vlerësua për vendosmërinë në luftën me valën e parë të koronavirusit, po akuzohet për ndjekjen e një qasjeje “amatore” këtë radhë.
Sipas të dhënave zyrtare, Italia ka afro 64 mijë të vdekur nga koronavirusi, duke tejkaluar Britaninë, e cila për javë të tëra ka kryesuar me rastet e vdekjeve evropiane. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se Italia po regjistron 1,036 të vdekur për një milion banorë, e dyta pas Perusë.
Zoti Conte u përmbajt nga urdhëri për një mbyllje tjetër të vendit ndësa vala e dytë filloi në shtator, pavarësisht thirrjes nga disa guvernatorë rajonalë. Në muajin mars, ai vendosi një mbyllje të rreptë 10 javore, e cila zbuti valën e parë.
Udhëheqësi italian tani ka shtuar kufizimet për periudhën e Krishtlindjeve, por disa epidemiologë thonë se masa ka qënë shumë e vonë. Mikrobiologu italian Andrea Crisanti tha se, “Vala e parë në Itali ishte fat i keq, por vala e dytë e pafalshme. Një shenjë e menaxhimit të dobët dhe përgatitjes amatore.”
Që nga shtatori, Italia shënoi shifrën rekord me më shumë se 28 mijë vdekje nga COVID-i.
Matteo Villa, analist në Institutin për Studimin e Politikave Ndërkombëtare, tha se qeveria dështoi në përgatitjen e sistemit të shëndetësisë gjatë periudhës kohore mes dy valëve.

“Nëse mund të veproni më herët, qoftë përmes masave të lehta, ato funksionojnë më mirë sesa masat e ashpra kur bëhet vonë”, tha ai.
Vlerësimi ndaj Kryeministrit Conte në sondazhe po rrëshqet, ndërsa koalicioni i tij qeverisës goditet nga largimet dhe grindjet për pagesat e fondeve të rimëkëmbjes nga Bashkimi Evropian. Matteo Renxi, ish-kryeministër, kërcënoi me rrëzimin e qeverisë duke e larguar partinë e tij “Italia Viva” nga koalicioni që përfshin edhe lëvizjen populiste Pesë Yje si dhe Partinë Demokrate.
Javën që shkoi, kryeministri francez njoftoi se siç kishte paralajmëruar të martën, do të shfuqizohej urdhëri për izolim, por disa kufizime të rrepta dhe të reja do të rrinin në fuqi për Krishtlindje për shkak të të dhënave shqetësuese.
Jean Castex shpresonte të hiqeshin shumë rregulla të tjera, por tha se virusi nuk po e lejon atë. Po vendoset një orë e re policore që fillon nga ora 8.
“Ende nuk jemi në fund të valës së dytë, dhe nuk do të jemi tek synimi jonë që është 5 mijë raste në ditë. E dimë se grumbullimet gjatë festës përbëjnë rrezik. Duhet të shtojmë kujdesin dhe të jemi vigjilentë”, tha zoti Casex.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje