Futboll

Europa na nxjerr “zbuluar”, futbolli shqiptar në nivel inferior

Ishte një verë katastrofike për futbollin shqiptar në Kupat e Europës. Asnjë kualifikim nga katër skuadrat pjesëmarrëse, një “thes” me gola i pësuar dhe vetëm 4 të shënuar në total, nga 1 për secilën. Është e kotë të gënjejmë veten se kemi futboll me nivel, sepse Europa na ka nxjerrë zbuluar. Kjo verë ishte një kthim prapa, në fakt, që na çon në ato vite kur ekipet tona kënaqeshin thjesht me pjesëmarrjen.

Sigurisht, paraqitja e skuadrave tona në kompeticionet europiane është reflektim i nivelit të kampionatit të dobët të Superiores, që aktualisht duket në kolaps nga çdo pikëpamje. E tregon fusha, e tregojnë qartë shifrat, që janë kokëforta dhe nuk lënë shteg për interpretim tjetër. Asnjë tur i kaluar nga Partizani, Kukësi, Laçi dhe Teuta. Dhe shorti i vështirë nuk është justifikim. Mbrëmjen e së enjtes në Moldavi u pa qartë se kundërshtari i Partizani nuk kishte asgjë më shumë, por arriti të kualifikohej falë fitores në ndeshjen e parë në Tiranë. Edhe Debreceni nuk ishte aspak një kundërshtar i frikshëm, megjithatë i shënoi 4 herë Kukësit dhe pësoi vetëm 1 gol nga ekipi nënkampion i Shqipërisë.

Paraqitja e ekipeve tona këtë vit në Kupat e Europës. Gazeta Si, 2 gusht 2019

Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, ku Karabaku ishte shumë i vështirë për t’u kaluar, pritej më shumë nga Partizani kampion në Ligën e Europës, por edhe këtu të kuqtë stonuan, sidomos në ndeshjen e parë në shtëpi, duke u mundur 0-1. Ishte paraqitja më e dobët në 4 ndeshjet europiane të Partizanit, që doli nga dy kompeticionet me një bilanc negativ: 2 humbje, 2 barazime, 0 fitore, 4 gola të pësuar dhe vetëm 1 i shënuar. Është mjaft domethënëse mesatarja e golave të shënuar nga kampionët e vendit në Europë, 0.25 gola për ndeshje. Ashtu si në kampionat, ku edhe Partizani kampion shënonte me “pikatore”. Imagjinoni të tjerët…

Nga një ndeshje e Kukësit me Debrecenin. Gazeta Si, 2 gusht 2019

Edhe Kukësi doli menjëherë nga Europa, pas 4 golash të pësuar në 2 ndeshjet me Debrecenin dhe vetëm 1 të shënuar. Pavarësisht shpenzimeve në merkato nga presidenti Gjici, skuadra e tij nuk ia doli të kalonte asnjë tur dhe kjo solli shkarkimin e trajnerit Ernest Gjoka, vendin e të cilit e ka zënë tashmë Shpëtim Duro. Kukësi, ashtu si dhe Laçi dhe Teuta, e ka mesataren 0.5 gola të shënuar. Fitoren e vetme në 10 ndeshjet europiane të 4 skuadrave tona e regjistroi Teuta, që mundi 1-0 në “Niko Dovana” letonezët e Ventspils. Por ishte një fitore pa vlerë, sepse në ndeshjen e parë durrsakët kishin pësuar 3 gola. Laçi ishte ekipi që bëri një paraqitje relativisht të mirë, duke qenë në lojë për kualifikimin deri në fund, por nuk ia doli. Barazoi 1-1 në Laç dhe u mund 1-0 nga Hapoel Ber Sheva në minutat e fundit në Izrael.

Dënimi i Skënderbeut e ka ulur shumë nivelin e përfaqësimit të futbollit shqiptar në Europë. Korçarët, me një koeficient të lartë, ishin të favorizuar në short dhe vitet e fundit kanë arritur dy herë të shkojnë në grupet e Ligës së Europës, por UEFA i ka dënuar me 10 vite jashtë kompeticioneve të saj për trukim ndeshjesh. E ardhmja e futbollit shqiptar duket edhe më e zymtë, kur mendon se jemi në gusht dhe ende nuk është e qartë çfarë do të ndodhë me Superligën e sezonit të ri, cilat do të jenë skuadrat pjesëmarrëse. Skënderbeu rrezikon përjashtimin, kurse 4 klube të tjerë me emër si Tirana, Vllaznia, Flamurtari dhe Luftëtari, nuk dihet nëse do të licencohen, sepse kanë shumë borxhe. Në këto kushte, kampionati sigurisht që do të ketë pak garë sportive dhe nivel të ulët.

Partizani përshëndet tifozët që e mbështetën në Moldavi. Gazeta Si, 2 gusht 2019


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë