Gazeta Si – Njerëzit po ikin nga Sudani i copëtuar nga përleshjet midis ushtrisë besnike të presidentit, gjeneralit Abdel Fattah Durhan dhe milicëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë të Gjeneralit Mohammed Dagalo (RSF).
Mëngjesin e sotëm ky i fundit ka sulmuar autokolonën e organizuar nga Franca për të sjellë në siguri qytetarët dhe personelin diplomatik, ku një francez është plagosur.
Nga ana tjetër, evakuimi i organizuar gjatë natës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shkuar pa probleme.
Presidenti amerikan Joe Biden e njoftoi atë në një deklaratë: “Sot, me urdhërin tim, ushtria amerikane kreu një operacion për të nxjerrë personelin e qeverisë amerikane nga Khartoum. Jam krenar për përpjekjet e jashtëzakonshme të stafit të Ambasadës sonë, të cilët i kryen detyrat e tyre me guxim dhe profesionalizëm dhe mishëruan miqësinë dhe lidhjen e Amerikës me popullin e Sudanit”.
Problemi mbetet se si të kthehen në shtëpi të gjithë të huajt e bllokuar në vend. Gjenerali Durhan tha se do të lehtësonte evakuimin e qytetarëve dhe diplomatëve amerikanë, britanikë, kinezë dhe francezë nga Sudani, pasi foli me liderët e disa vendeve që kishin kërkuar ndihmë.
Megjithatë, situata në terren mbetet e paqëndrueshme. Aeroporti ndërkombëtar në Khartoum është mbyllur dhe largimi nga kryeqyteti për të arritur një tjetër mund të jetë jashtëzakonisht i rrezikshëm.
Luftimet mes grupit paraushtarak dhe ushtrisë hynë në javën e dytë pas një pauze të shkurtër. Më shumë se 150 njerëz nga kombe të ndryshme kishin arritur tashmë në Arabinë Saudite në një evakuim fillestar të civilëve.
Sipas BBC, Britania ka vënë trupa dhe avionë në gatishmëri në një bazë jashtë shtetit në rast se ato nevojiten për të transportuar stafin e ambasadës dhe qytetarët nga vendi.
Me situatën e paqëndrueshme në terren, forcat britanike mund të vendosen edhe në fusha të tjera ajrore afër Sudanit, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Franca, kanë baza në Xhibuti, në Bririn e Afrikës.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 413 persona janë vrarë dhe 3.551 janë plagosur në luftimet në mbarë Sudanin, por numri real i viktimave besohet se është më i lartë, pasi shumë të plagosur nuk kanë qasje në spitale.
Lufa në Sudan ka prishur planet për të rivendosur sundimin civil, ka sjellë një vend tashmë edhe më të varfër në prag të katastrofës humanitare dhe po kërcënon një konflikt më të gjerë që mund të tërheqë fuqitë e jashtme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje